Angus Cloud aktori i serialit “Euphoria” vdes në moshën 25 vjeçare
Angus Cloud, ylli i shquar nga seriali hit i HBO "Euphoria," ka vdekur në moshën 25-vjeçare, konfirmuan përfaqësuesit e tij.
Cloud, i njohur më së shumti për rolin e shpërndarësit të drogës "Fezco" në "Euphoria" për dy sezone, vdiq të hënën, një javë pasi varrosi të atin, i tha CBS News përfaqësuesi i tij Cait Bailey.
Shkaku i vdekjes së tij nuk u konfirmua.
"Me zemër të pikëlluar na u desh t'i thoshim lamtumirë një njeriu të pabesueshëm sot," tha familja e tij në një deklaratë. "Si artist, mik, vëlla dhe djalë, Angus ishte i veçantë për të gjithë ne në shumë mënyra. Javën e kaluar ai varrosi të atin dhe luftoi intensivisht me këtë humbje. I vetmi ngushëllim që kemi është të dimë se Angus tani është ribashkuar me babanë e tij, i cili ishte shoku i tij më i mirë. Angus ishte i hapur rreth betejës së tij me shëndetin mendor dhe shpresojmë se vdekja e tij mund të jetë një kujtesë për të tjerët se ata nuk janë vetëm dhe nuk duhet ta luftojnë këtë vet në heshtje," shtoi familja e tij.
Një zëdhënës i HBO tha në një deklaratë për CBS News: "Ne jemi jashtëzakonisht të trishtuar pasi e morëm lajmin për vdekjen e Angus Cloud. Ai ishte jashtëzakonisht i talentuar dhe një pjesë e dashur e familjes HBO dhe Euphoria. Ne u shprehim ngushëllimet tona më të thella miqve dhe familjes së tij gjatë kësaj kohe të vështirë."
Përgatiti: Vita Abrashi - Kajtazi