Showbiz

Tracee Ellis Ross, Dakota Johnson dhe Ice Cube protagonistë të filmit “High Note”

Në filmin e ri “High Note”, aktorja Tracee Ellis Ross e portretizon një superyll veteran të muzikës pop, por ajo tha se ky projekt nuk ka fare të bëjë me nënën e saj të famshme, Diana Ross.

“E kuptoj këtë pyetje dhe e mirëpres atë. Është në rregull që po e parashtroni. Por, përgjigjja ime është thjesht, jo. Ky rol nuk ka të bëjë asgjë me nënën time.”

Filmi e rrëfen historinë e personazhit të Rossit, Grace Davis, asistentes së saj personale e portretizuar në film nga Dakota Johnson dhe menaxherit të saj, i cili në film luhet nga aktori dhe reperi, Ice Cube, teksa e menaxhojnë industrinë e muzikës në një mënyrë humoristike dhe frymëzuese, transmeton Koha.

Ross tha se ajo që e ka tërhequr drejt këtij filmi ishte mesazhi të cilin ai e bart, dhe që ka të bëjë me qëndrueshmërinë dhe ndjekjen e ëndrrave. Po ashtu, ajo tha se e ka pranuar rolin në film, ngase ia ka ofruar mundësinë që për herë të parë të këndojë në ekran të madh.

“Më pëlqeu që më ofroi mundësi të këndoja. Është diçka që gjithnjë kam dashur ta bëja. Pra ishte një ëndërr e imja e fëmijërisë. Një prej ëndrrave më të mëdha që u shndërrua në një prej frikëve më të mëdha për mua. Dhe kjo është e kuptueshme për shkak të asaj se kush është nëna ime. Ideja e krahasimit me të, paragjykimeve apo kritikave, vërtet më ka tmerruar.”

Reperi dhe aktori Ice Cube tha se e ka pasur të lehtë ta ndërtojë personazhin e tij në film, për shkak të eksperiencave personale me menaxher të ndryshëm me të cilët ka bashkëpunuar ndër vite.

“I imagjinova disa bashkëpunëtorë të mi nga e kaluara. Dhe thjesht e merr nga një veti prej secilit prej tyre, dhe kështu e krijon personazhin tënd. Por ky ishte një prej menaxherëve më qesharakë për t’i portretizuar. Një burrë i cili mendon se është yll dhe çdo ditë të jetës vishet sikur është duke shkuar në ceremoninë e shpërblimeve ‘Grammy’.”

Derisa pandemia e koronavirusit po vazhdon t’i mbajë kinematë të mbyllura, filmi u lansua në disa platforma digjitale më 29 maj.

Aktorja Dakota Johnson tha se është falënderuese për këtë fakt.

“Jam mirënjohëse që filmi pati mundësi të shfaqet në ekranin televiziv të publikut. Mendoj që, nëse ke ndonjë rast apo mundësi që t’iu sjellësh njerëzve pak hare dhe argëtim në këtë situatë nëpër të cilën po kalojmë, atëherë unë jam e lumtur ta bëj këtë.”