Aktorja e njohur amerikane, Toni Collette, e përshkruan xhirimin e filmit të saj të fundit, “Mafia Mamma”, si projekti më argëtues në karrierën e saj.
Arsyeja është se filmi që i takon zhanrit komedi është xhiruar në qytetin e bukur të Romës dhe vendet përreth, pati mundësi të punojë me Monica Belluccin dhe një grup aktorësh të mrekullueshëm italianë, dhe e pati një bashkëpunim të shkëlqyer me regjisoren Catherine Hardwicke.
“Kishte shumë gjëra që më kanë pëlqyer. Fillimisht, unë e pranova skenarin e filmit gjatë kohës së pandemisë dhe më bëri të qeshë shumë. Ishte si një fener drite në një periudhë shumë të çuditshme kohore. Dhe mendoj se historia e filmit është vërtet e rëndësishme. Është shumë fuqizuese për gratë dhe është shumë pozitive. Filmi flet për një grua e cila është anashkaluar plotësisht dhe është trajtuar keq, por përnjëherë e kupton rëndësinë e saj në mënyrë të pazakonshme dhe detyrohet ta gjejë forcën brenda vetes. Kjo histori rrëfehet më mënyrën më të mirë dhe pozitive që është e mundur. Thjeshtë më pëlqeu shumë skenari dhe më pas i ftova edhe disa miq për t’u bërë pjesë e projektit. E kontaktova regjisoren Catherine Hardwicke, me të cilën kam punuar para dhjetë vjetëve në filmin ‘Miss You Already’ dhe një mik tjetër që ishte producent i atij filmi, Chris Simon. Ngadalë arritëm ta angazhojmë këtë kastë të mrekullueshme të aktorëve. A mund ta besoni se çfarë arritje është ta bindësh Monica Belluccin të bëhet pjesë e filmit tonë. Të gjithë aktorët italianë që i kemi angazhuar janë të mrekullueshëm. Dhe unë sinqerisht mendoj se ky ishte filmi më argëtues në të cilin kam punuar. Roma është një qytet i mahnitshëm dhe magjik. Është vendi im i preferuar në planetin Tokë. Gjithmonë do ta kem një lidhje shpirtërore me këtë qytet dhe do të ndihem sikur jam në shtëpinë time. Kur i përfunduam xhirimet e filmit, nuk doja të largohesha nga këtu. Madje jam kthyer disa herë dhe do të vazhdoj të vijë këtu sa herë që të mundem”.
Bellucci e quajti Romën një vend magjik për këtë film dhe e përshkroi procesin e xhirimit si një përvojë e mahnitshme për të, jo vetëm si aktore por edhe si njeri.
“Kur e lexova skenarin u lumturova shumë, ky film është jashtëzakonisht i mirë dhe mua m’u dha rasti të punojë me Tonin. Unë e adhuroj atë. Më herët e respektoja si aktore e mrekullueshme që është, por sigurisht tani e njoh edhe si person dhe ju them se kemi kaluar disa momente shumë të bukura së bashku. Shpesh kemi improvizuar gjatë xhirimeve dhe në përgjithësi realizimi i këtij filmi ishte një eksperiencë e mahnitshme për mua, jo vetëm si aktore por edhe si njëri. E gjithë kasta e aktorëve ishte e jashtëzakonshme. Regjisorja, Catherine Hardwicke, është shumë e mirë dhe vërtetë i sjell filmit diçka të veçantë. Ajo asnjëherë nuk kishte frikë të provonte gjëra të reja. Pra, kur ke skenar fantastik dhe me xhirimet që zënë vend në një qytet të bukur, sigurisht se gjithçka do të shkojë në mënyrë të përkryer. Roma ishte vendi magjik për realizimin e këtij filmi”.
Edhe
Monica Bellucci: Në punë udhëhiqem nga instinkti dhe befasitë
Në film, Collette e portretizon një nënë të zakonshme nga periferia e quajtur Kristin, e cila një ditë e pranon një telefonatë misterioze për të shkuar në Itali dhe për t’i rehatuar punët e një të afërmi që ka vdekur. Në fillim ajo refuzon sepse është shumë e zënë me punët e shtëpisë, por pastaj e kupton se nuk ka arsye të vërtetë për të mos pranuar. Djali i saj tashmë është në kolegj, puna i është mërzitur dhe bashkëshorti po e tradhton. Prandaj, vendos ta trajtojë veten me një udhëtim në Italinë e bukur.
Krahas Tonyt në film luan edhe ylli italian i kinematografisë, Monica Bellucci, e cila e portretizon një këshilltare të quajtur Bianca, e cila kishte punuar për gjyshin e ndjerë të Kristinës, bosin mafioz Giuseppe Balbano. Me kalimin e kohës, Kristin pajtohet me fatin e saj dhe bëhet udhëheqëse e familjes mafioze, edhe pse detyrohet t’i eliminojë disa kundërshtarë.
Megjithëse përmban shumë momente komike, filmit nuk i mungojnë as skenat e dhunës, përfshirë këtu një vrasje me take të këpucës.
Collette: “Askush nuk i do armët. Në fakt në pjesën më të madhe të kohës ne kemi përdorur armë falso, por megjithëkëtë jemi argëtuar shumë. Pastaj kemi pasur kohë t’i realizojmë skenat që duhej të dukeshin më reale dhe jemi ushtruar shumë para se t’i fillonim xhirimet. Të gjithë e dinin se çfarë po bënin, siguria ishte shumë e lartë, gjithçka ishte organizuar në mënyrë të përkryer dhe nuk mungonte komunikimi i vazhdueshëm. Prandaj, po, e kemi shijuar shumë këtë eksperiencë”.
Edhe
Monica Barbaro: “One night only” është film që të zgjon emocionet
Bellucci: “Po, e dini, edhe pse filmi përfshinë shumë dhunë, në të njëjtën kohë të gjitha skenat e tij, edhe ato më të dhunshmet dhe ekstremet, janë trajtuar me shumë kujdes dhe ironi dhe kështu gjithçka doli me humor, nganjëherë edhe shumë seksi”.
Filmi “Mafia Mamma” u lansua nëpër kinematë e Amerikës më 14 prill.