Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Monica Bellucci: Në punë udhëhiqem nga instinkti dhe befasitë

Monica Bellucci

Monica Bellucci

Foto: Associated Press

Aktorja e njohur, Monica Bellucci, ka thënë për Variety se nuk e gjykon një rol nga madhësia e tij, por nga ajo që i ofron si aktore. Për të, më e rëndësishmja është të ndihet e lirë dhe të provojë diçka të re.

Aktorja 61-vjeçe ka treguar se është e gatshme të pranojë edhe role të vogla nëse historia apo regjisori i ofron përvojë ndryshe.

Duke kujtuar punën me regjisorin David Lynch në “Twin Peaks”, ku kishte vetëm një skenë, Bellucci ka thënë se roli s’ka rëndësi për të, por se ajo që e do është që të jetë e lirë.

“Ndonjëherë nuk ka rëndësi nëse roli është i vogël. Unë thjesht dua të jem e lirë. Ajo që më pëlqen në punën time është elementi i befasisë. Më pëlqen kur regjisorët më vijnë me ide që nuk i kam menduar më parë. Edhe pse kam kaq shumë vite në këtë profesion, ende e ndiej emocionin dhe pasionin për punën”, ka thënë ajo.

Bellucci ndihet me fat që vazhdon të punojë dhe beson se aktoret më të rritura mund të sjellin në role emocione dhe përvoja që nuk do të mund t’i interpretonin në moshë më të re.

Edhe Kaia Gerber flet për vështirësitë me ushqyerjen dhe presionin për pamjen Showbiz Kaia Gerber flet për vështirësitë me ushqyerjen dhe presionin për pamjen

“Trupi ynë ndryshon, sigurisht, por mund të shprehim aspekte të tjera të jetës që më parë nuk mundeshim. Nuk do të kisha mundur ta luaja ‘The Birthday Party’ kur isha 30 apo 40 vjeçe. Më duhej më shumë përvojë për të përçuar emocione të tilla”, ka thënë ajo.

Ajo vëren gjithashtu se mundësitë për aktoret pas moshës 40-vjeçare po ndryshojnë gradualisht.

“Në ditët e sotme, ne aktoret jemi shumë me fat që kemi mundësinë të vazhdojmë të punojmë edhe si gra të rritura. Në të kaluarën, ishte pothuajse e pamundur të kishe karrierë pas të 40-ave. Gjërat po ndryshojnë, edhe pse ngadalë”, ka thënë ylli.

Pavarësisht dashurisë për kinemanë, Bellucci ka theksuar se puna nuk është gjëja më e rëndësishme në jetën e saj.

“E dua atë që bëj dhe jam shumë mirënjohëse që ende kam mundësinë të bëj gjëra interesante. Por jeta është më e rëndësishme”, ka thënë ajo.

Bellucci së shpejti do të shfaqet në filmin “Ketticè”, me regji të Giovanni Tortoricit. Filmi tregon historinë e një adoleshenti dhe nënës së tij, të cilët gjithnjë e më shumë ndihen të humbur në jetën e tyre.

Për Belluccin, ky ishte një rol shumë larg personazheve që ka luajtur më parë.

“Nuk kam bërë kurrë diçka të tillë. Në sheshxhirim isha me pizhame, me një thikë në dorë dhe pantofla në këmbë”, ka thënë ajo.

Edhe Anne Hathaway tallet me teoritë se “barku i saj i shtatzënisë është i rremë” Showbiz Anne Hathaway tallet me teoritë se “barku i saj i shtatzënisë është i rremë”

Ajo luan një grua që ka humbur lidhjen me feminitetin e saj dhe që përballet me pakënaqësi, zemërim dhe frustrim.

“Ishte interesante të luaja këtë grua dhe nënë që përfaqëson ankthin dhe frustrimin pas përsosmërisë së dukshme të një shoqërie në rënie. Është një grua e palumtur, e hidhëruar, me shumë zemërim, por nuk ka ku ta shprehë”, ka thënë ajo.