Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Tom Hardy ia plotëson adhurueses dëshirën e fundit para vdekjes

Aktori i njohur britanik, Tom Hardy, ia përmbushi dëshirën e fundit një fanseje të moshuar, duke e realizuar një videolidhje me të.

Jo-Anne Shaw i tha stafit që kujdeset për të në spital, se ëndrra e saj e fundit para se të vdes do të ishte që të flas me aktorin e famshëm. Ata bënë një apel në mediat sociale dhe Hardy u përgjigj në Instagram, duke thënë se do të ishte “kënaqësia e tij” t’ia realizonte asaj këtë dëshirë. Kështu, pa hezituar fare ai e realizoi një videolidhje me adhuruesen e tij të sëmurë.

“Ai ma ka realizuar ëndrrën. Më vendosi në qendër të vëmendjes për një ditë dhe kjo është gjithçka që mund të kërkoja. Jam shumë e lumtur sepse ai bisedoi me mua sikur të ishim miq. Unë jam adhuruese e flaktë e Tomit, i kam shikuar të gjithë filmat e tij, sidomos gjatë kohës së pandemisë. E dua shumë atë njeri,” tha Shaw, e cila vuan nga një kancer i pashërueshëm.

Një zëdhënës i spitalit që kujdeset për personat që vuajnë nga sëmundje terminale, e postoi një deklaratë në faqen zyrtare në Facebook, përmes së cilës tha se stafi është jashtëzakonisht i befasuar nga mirësia dhe mbështetja e Tomit, duke shtuar se Jo-Anne dhe familja e saj janë shumë falënderues ndaj tij për faktin se ia plotësoi dëshirën e fundit para vdekjes.

Në fillim të këtij viti, Hardy I fitoi dy medalje të arta në një garë bamirëse të sportit luftarak jiu-jitsu. Të ardhurat nga ngjarja u dhuruan për “REORG”, një organizatë bamirëse që mbështet anëtarët e ushtrisë dhe të shërbimit emergjent që kanë probleme me stresin post-traumatik, depresionin dhe lëndime tjera fizike që ua kanë ndryshuar jetën.