Aktori i njohur hollywoodian, Denzel Washington, ka bërë të ditur se filmi i tij i ardhshëm do të jetë “The Equalizer 3”.
Ylli 67-vjeçar i kinematografisë filmi i ri i së cilit, “The Tragedy of Macbeth”, u lansua në platformën Apple TV+ të premten më 14 janar, tregoi se ekzistojnë planet për një vazhdim të tretë të filmit aksion “The Equalizer”, skenari i së cilit tashmë ka përfunduar.
“Ata e kanë shkruar skenarin e filmit të tretë ‘Equalizer’, kështu që do të jem i angazhuar me këtë projekt. Prandaj më duhet të kthehem në formë të mirë fizike për t’u përleshur me shumë persona. Pas një roli sikur ai në filmin ‘The Tragedy of Macbeth’ do të kthehem në një film të mbushur me skena aksion. Nuk ka si të jetë më mirë se kaq, apo jo?” deklaroi aktori për portalin “Collider”.
Filmi i parë “The Equalizer” i cili pjesërisht bazohet në serialin e vitit 1970 me të njëjtin emër, u lansua në vitin 2014 derisa vazhdimi i dytë i filmit erdhi nëpër kinema pas katër vjetëve. Ende nuk është bërë ndonjë përditësim zyrtarë rreth filmit të tretë, por Washington duket se ka vendosur që ta konfirmojë këtë lajm i vetëm.
Po ashtu thuhet që Antoine Fuqua do të rikthehet në rolin e regjisorit. Në vitin 2018, ai tha se tashmë ka shumë ide të reja për vazhdimin e tretë të filmit, duke sugjeruar se ka gjasa që aventurat e kryepersonazhit Robert McCall të vazhdojnë jashtë shtetit.
Ndërkohë muajin e kaluar, Denzel Washington tha se nuk i ka mbetur shumë për të bërë si aktor andaj për ta pranuar një rol të ri, projekti në fjalë duhet të vijë me ndonjë “sfidë të jashtëzakonshme”. Fatmirësisht, “The Equalizer 3”, hyn pa problem në këtë kategori të filmave.