Me mikun e tij Bud Spencer ai ishte yll i uesternëve dhe komedive gjatë viteve të 70-ta të shekullit të kaluar. Aktori italian Mario Girotti, më shumë i njohur si Terence Hill, ka festuar ditëlindjen e tij të 80-të, edhe tani i popullarizuar falë rolit të priftit detektiv në serinë televizive italiane.
“Nuk na ndanë kurrë sepse u kombinuam shumë mirë me të parën, nuk e dimë pse, por funksionoi si magji”, - tha Terence Hill në një intervistë të fundit për partneritetin e veçantë me Bud Spencer, i cili vdiq në vitin 2016.
“Çdo performancë me Budin më ka ndryshuar dhe mendoj se vlen edhe e kundërta. Kurrë nuk jemi zemëruar me njëri-tjetrin”, - shtoi ai.
Edhe pse 80 vjeç, Terence Hill ende magjeps me shikimin e syve të kaltër dhe buzëqeshjen djallëzore me të cilat i pushtoi zemrat duke e luajtur kaubojin dinak në uesternët e viteve shtatëdhjetë. Bashkëpunimi filloi rastësisht kur Terence Hill shkoi në setin e një filmi për ta zëvendësuar aktorin e lënduar. Ai dhe Spencer e xhiruan filmin e parë “God Forgives... I don’t!” në vitin 1967. Pjesa tjetër është histori.
Paraprakisht emrat e tyre italianë, Mario Girotti dhe Carlo Pedersoli, i zëvendësuan me emra më atraktivë hollivudianë. Së bashku, ata i xhiruan rreth njëzet filma. Filmi i tyre më i njohur është “They Call Me Trinity” nga viti 1970, filmin e fundit të përbashkët "Troublemakers" e xhiruan në vitin 1994, shkruan KOHA Ditore.
Terence Hill luan ende. Ai filloi ta luante priftin detektiv Don Matteo në serinë televizive italiane me po të njëjtin titull derisa ishte 61 vjeç dhe ende nuk dorëzohet. Pak dihet se Terence Hill përveç se aktor dhe skenarist, është edhe regjisor dhe producent i suksesshëm.