Showbiz

Të famshmit që po i kthejnë në trend unazat e fejesës me gurë të mëdhenj

Unaza e fejesës së Taylor Swift

Unaza e fejesës së Taylor Swift

Unazat e mëdha të fejesës kanë qenë gjithmonë pjesë e botës së yjeve, por vitet e fundit po bëhen edhe më të mëdha.

Muajin e kaluar, futbollisti portugez, Cristiano Ronaldo, i propozoi të dashurës së tij, Georgina Rodríguez, me një diamant oval që i mbulon gjysmën e nyjës së gishtit. Me peshë të llogaritur mes 25 dhe 35 karatësh, guri u bë temë diskutimi online për madhësinë e tepruar, ka shkruar CNN.

 

Unaza e fejesës së Georgina Rodríguez

Edhe Lauren Sanchez Bezos, e fejuara e Jeff Bezos, ka tërhequr vëmendje këtë vit. Në qershor, në një dasmë në Venecia, ajo u pa me një diamant rozë rreth 30 karatësh, të vlerësuar mes 3 dhe 5 milionë dollarë. Gur që, sipas CNN, nuk e kapte dritën, por “ia rrëmbente atë qiellit me forcë gravitacionale”.

Unaza e fejesës së Lauren Sanchez Bezos

Tani, edhe Taylor Swift i është bashkuar trendit. Këngëtarja mori një unazë me diamant antik, të prerë në stilin “mine-cut”, që peshon rreth 7 deri në 10 karatë. Sipas ekspertëve, unaza u dizajnua nga i fejuari i saj, Travis Kelce, në bashkëpunim me brendin e stolive Kindred Lubeck.

“Ky nuk është dikush që ka hyrë në dyqan dhe ka thënë ‘dua diamant sa më të madh’”, ka thënë Garret Weldon, president i Shoqatës së Antikuarëve në Irlandë.

Unaza e fejesës së Taylor Swift

Ai e ka përshkruar gurin si “i shenjti i kësaj industrie”, duke shtuar se daton që nga shekulli XVIII ose XIX.

“Atëherë nuk kishte makineri të avancuara. Duhej të prisje që natyra ta nxirrte gurin nga shkëmbi, qoftë përmes rrëshqitjes së dheut ose ndonjë mënyre tjetër natyrore. Për këtë arsye është i rrallë, i pazakontë dhe i veçantë”, ka thënë Weldon.

Megjithatë, për shumicën e njerëzve, madhësia është ajo që bie në sy.

Në SHBA, unaza mesatare e fejesës është rreth 1 karat, sipas platformës The Knot. 
Unaza e Swiftit është dy herë më e madhe se ajo e artistes Zendaya dhe deri në dhjetë herë më e madhe se e këngëtares Charli XCX. Por krahasuar me gurët gjigantë të Rodríguez dhe Sanchez Bezos, ajo duket më e përmbajtur.

“Është një madhësi shumë e përdorshme. Nuk është më e gjerë se gishti i saj, nuk prek as nyjën sipër”, ka shtuar Weldon.

Unazat gjigante kanë qenë gjithmonë simbol statusi e romantizmi, që nga diamanti 33.19 karatësh që Richard Burton i pati dhuruar Elizabeth Taylorit. Por sot ato janë bërë edhe më të pranishme.

Unaza e fejesës së Elizabeth Taylor

“Gurët e mëdhenj gjithmonë kanë treguar status, romancë, luks. Dikur vetëm mbretërit mund t’i përballonin. Sot kemi miliarderë të Silicon Valleyt, njerëz të teknologjisë dhe të famshëm”, ka thënë Charlie Boyd, redaktor për bizhuteri dhe orë te Harper’s Bazaar Arabia.

Boyd shton se rrjetet sociale kanë forcuar këtë trend.

“Ritualet tona shoqërore rreth fejesave kanë ndryshuar. Tani është shumë e rrallë që një çift të fejohet dhe të mos publikojë një foto të unazës. Kjo krijon pritshmëri të shtrembëruara për madhësinë”, ka thënë ai.

Edhe teknologjia ka bërë të vetën. Sot diamantet e mëdhenj priten në mënyrë digjitale për të nxjerrë maksimumin nga guri i papërpunuar.

Por si do t’i shohë e ardhmja këto unaza gjigante?

Sipas Weldon, ato nuk kanë të bëjnë shumë me artin e dizajnit, por vetëm me ekspozimin e gurit. Boyd i quan pjesë e një “estetike flash-first”, unaza me gur qendror gjigant dhe me shumë pak metal, zakonisht platini, që e bën gurin të duket edhe më i madh.

Sidoqoftë, një unazë shumë e madhe mund të bëhet edhe pengesë në jetën e përditshme.

“Ajo hyn e del nga makina, kërkon diçka në fund të çantës… a është kjo unazë aq e madhe sa e pengon?” pyet Weldon.

Megjithatë, fenomeni i njohur si “sindroma e tkurrjes së diamantit”, ku me kalimin e kohës guri duket më i vogël nga sa dukej në fillim, mund të bëjë që unazat gjigante të normalizohen edhe më shumë.

“Sa më shumë i mbajmë, aq më shumë mësohemi me ta. Dhe papritmas nuk duken edhe aq të mëdhenj”, ka thënë Boyd.