Ylli i muzikës pop, Britney Spears, po i lejon dy djemtë e saj, Jayden James dhe Sean Preston, që të shpërngulen për të jetuar në Hawaii me babanë e tyre, Kevin Federline.
Avokati i këtij të fundit, Mark Vincent Kaplan, tha për revistën “People” se ylli i hitit “Baby One More Time” ka pranuar që djemtë të zhvendosen në Hawaii me ish-bashkëshortin e saj.
“Shpërngulja në Hawaii për të jetuar është një mundësi e mirë për Kevinin dhe gruan e tij. Po ashtu, Jayden dhe Sean janë gati të largohen nga Los Angelesi, ku jeta e tyre vëzhgohet si me mikroskop nga mediat dhe publiku i gjerë”.
Kevin Federline dhe bashkëshortja e tij, Victoria Prince, i kanë edhe dy fëmijë tjerë së bashku, Peyton dhe Jordan. Sipas burimeve të cituara nga revista “People”, Pince e ka siguruar një punë të mirë në Universitetin e Hawaiit. Sean do të diplomohet nga shkolla e mesme pak para shpërnguljes, kurse Jayden do ta përfundojë vitin e fundit të shkollës nga distanca.
“Entertainment Tonight” raporton se Matthew Rosengart - avokati i Spearsit – e ka shkruar një letër drejtuar Kaplanit, përmes së cilës konfirmon se këngëtarja e famshme nuk planifikon ta pengojë shpërnguljen e djemve të saj.
Lajmi i largimit të djemve të Spearsit nga Los Angelesi vjen disa muaj pasi, Jayden foli për raportin e tij me të ëmën në një intervistë për kanalin “ITV”, të transmetuar pas dasmës së këngëtares me aktorin Sam Asghari. Ai tha se nuk ka urrejtje në familjen e tyre, por do të nevojitet shumë kohë dhe përkushtim për t’i rregulluar marrëdhëniet me nënë e tij.
“Njëqind për qind mendoj se raporti mes nesh mund të rregullohet. Thjeshtë duhet shumë kohë dhe përpjekje për këtë. Unë vetëm dua që ajo të jetë mirë mentalisht. Kur të bëjë më mirë, dua vërtetë ta takojë atë”, tha Jayden para se ta jepte një mesazh personal për nënë e tij: “Të dua shumë dhe t’i dëshiroj të gjitha të mirat. Ndoshta një ditë mund të ulemi përballë njëri-tjetrit dhe të flasim sërish”.
Në anën tjetër, Spears i është përgjigjur kësaj interviste duke thënë se ka provuar të jetë personi më i mirë i mundshëm për fëmijët e saj.
