Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Shpalosen hollësitë e koncertit virtual të Lady Gagas

Taylor Swift, Billie Eilish dhe Paul McCartney. Këta emra të shquar të muzikës do të jenë pjesë e koncertit “Together At Home”, të cilin këngëtarja Lady Gaga do të organizojë virtualisht në kohë pandemie.

Transmetuesi kryesor amerikan do ta shfaqë videon të shtunën dhe do të ketë edhe një version special për Mbretërinë e Bashkuar, i cili do të transmetohet gjatë së dielës, rreth orës 19:15 me kohën lokale.

Do të ketë edhe performanca të tjera nga artistët britanikë si: Little Mix, Tom Jones dhe Rag 'N' Bone Man, transmeton KOHA.

Lady Gaga u është bashkuar lëvizjes “Global Citizen” dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të realizuar “koncert virtual”, që synon të shprehë mirënjohjen për punëtorët shëndetësorë, të cilët janë vënë në vijën e parë të frontit në luftën kundër koronavirusit.

Ajo ka ndihmuar në përzgjedhjen e artistëve, mes të cilëve do të jenë edhe Jennifer Lopez, Elton John, Stevie Wonder, Camila Cabello, Lizzo dhe Michael Buble.

Lady Gaga ka bërë të ditur se shfaqja nuk është ndonjë maratonë televizive për mbledhjen e fondeve dhe ka treguar se fokusi është në argëtim dhe në mesazhin e solidaritetit.

“Largojini portofolat… uluni dhe shijojeni një shfaqje të cilën e meritoni të gjithë! Ju po e vini veten para rrezikut për ta ndihmuar botën dhe ne ju përshëndesim të gjithë për këtë veprim”, ka thënë ajo.

Këngëtarja tashmë ka ndihmuar me arkëtimin e 35 milionë dollarëve për “Global Citizen” dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, me qëllim të blerjes së pajisjeve e mjeteve mbrojtëse dhe ofrimin e mbështetjes për gjetjene një vaksine.

Shfaqja me titull “One World: Together At Home” fillon me një koncert paraprak në orën 19:00 të dielën, duke vazhduar deri në orën 01:00 të mëngjesit.

Artikuj të ngjashëm