Lajm i shkëlqyeshëm për adhuruesit e “Sex Education”. Netflixi më në fund e ka paralajmëruar datën e premierës për sezonin e ri të serialit humoristik dramë për adoleshentë. Gillian Anderson dhe Asa Butterfield kthehen më 17 janar 2020 me tetë episodet e reja, pak më shumë se një vit nga premiera e sezonit të parë.
Ngjarja e serialit bën fjalë për nxënësin e ndrojtur të shkollës së mesme, Otis Milburn (Butterfield), i cili jeton me nënën e tij Jean (Anderson), terapiste seksuale. Sezoni i parë përfundoi kur Otis dhe shoqja Maeve e themeluan klinikën për terapi seksuale në shkollë për ta përdorur intuitën e pazakontë të Otisit për dhënie të këshillave seksuale, shkruan KOHA Ditore. Në sezonin e dytë, Otis do të luftojë me nxitjet e tij të reja seksuale, do të përpiqet të mbajë kontakte me Olin, dhe në të njëjtën kohë të përpiqet ta rregullojë marrëdhënien e tij të ftohur me Maeve. E gjithë kjo derisa shkolla tronditet nga problemi i rasteve gjithnjë e më të shpeshta të klamidisë që vërtetojnë se edukimi seksual është i nevojshëm për nxënësit e shkollës.

Në rolet e tjera përfshihen: Emma Mackey, Ncuti Gatwa, Connor Swindells, Aimee Lou Wood, Kedar Williams-Stirling, Chaneil Kular, Simone Ashley dhe Mimi Keene. Autorja, skenaristja dhe producentja ekzekutive e serialit është Laurie Nunn, ndërsa sezoni i dytë do të bëhet me regji të Ben Taylor, Alice Seabright dhe Sophie Goodhart.
Netflix transmetoi sezonin e parë më 11 janar të këtij viti, ndërsa e paralajmëroi sezonin e dytë në fillim të shkurtit. Trileri zyrtar për sezonin e ri ende nuk është publikuar.