Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Sanders e quan Dua Lipën këngëtare që lufton për gratë dhe refugjatët

Këngëtarja kosovare-britanike Dua Lipa e ka pranuar virtualisht çmimin në “Billboard Women in Music” nga njëri prej heronjve të saj, politikani amerikan Bernie Sanders.

Interpretuesja e këngës “The New Rules” e hapi mbrëmjen gala të së enjtes vonë, me një perfomancë mbresëlënëse të “Boys Will Be Boys”, para se ta pranonte zyrtarisht çmimin “Women in Music Powerhouse”, i cili u jepet çdo vit atyre që e kanë dominuar skenën muzikore me shpërndarje të këngëve, shitje të albumeve dhe transmetime në radio.

Teksa po ia ndante çmimin, në një ceremoni të organizuar në mënyrë virtuale shkaku i pandemisë COVID-19, senatori Sanders e cilësoi Lipën si një këngëtare që lufton për të rinjtë, gratë, refugjatët dhe komunitetin LGBT.

“Ajo po e përdor platformën e saj për t’i sjellë njerëzit kah procesi demokratik. Po e ngre zërin për të kërkuar ndryshime të vërteta”, ka thënë Sanders.

Me ta pranuar trofeun e saj, Dua e përshkroi Sandersin si “heroin e saj personal” dhe tha se është shumë e lumtur që u njoh për solidaritetin me “koleget e saj dhe gratë në të gjithë botën”.

Edhe Bernie Sanders do t’ia prezantojë Dua Lipës çmimin në ceremoninë “Billboard Women in Music” Showbiz Bernie Sanders do t’ia prezantojë Dua Lipës çmimin në ceremoninë “Billboard Women in Music”

“Jemi ende shumë larg për ta arritur barazinë e vërtetë”, ka thënë ajo, pasi e shpalosi hendekun gjinor dhe atë racor midis producentëve të këngëve të “Billboard Hot 100”.

“Le të vazhdojmë të festojmë për gratë dhe le të vazhdojmë t’i trimërojmë të gjitha vajzat e reja, në mënyrë që të jenë fuqitë e së ardhmes”, ka përfunduar Lipa.