Showbiz

Ryan Murphy zbuloi nëntitullin e sezonit të ri të "American Horror Story"

 

Krijuesi i “American Horror Story”, Ryan Murphy, në instagramin e tij e zbuloi nëntitullin e sezonit të nëntë të kësaj serie të vlerësuar.

Murphy e publikoi edhe teaser trilerin në fund të së cilit mund të shohim se sezoni i ri do të titullohet “AHS 1984” dhe se në ekranet e vogla (FX) do të kthehet këtë vjeshtë. Murphy e ka nënshkruar një kontratë të madhe pesëvjeçare me Netflix, kështu që adhuruesit kishin frikë se kjo do të nënkuptonte se nuk do ta shikojnë më serinë e tyre të preferuar në FX. Drejtori i FX, John Landgraf, e mohoi këtë dhe theksoi se "pret shumë më tepër sezone në FX".

Është konfirmuar se edhe në këtë sezon do ta shohim Emma Roberts, dhe edhe pse nuk ka konfirmime zyrtare, besojmë se do ta shohim edhe Sarah Paulson të cilën e kemi parë në çdo sezon. Edhe pse çdo sezon ishte i veçantë, në sezonin e tetë kishte personazhe nga sezonet e kaluara për çfarë seria nuk ka mundur të shpallej si antologjike kështu që për herë të parë këtë vit do të konkurrojë për serinë më të mirë dramë për çmimin “Emmy”, dhe jo për serinë më të mirë me edicion të kufizuar (sezoni i tetë), shkruan KOHA Ditore.

Sezoni i nëntë i “American Horror Story” kthehet këtë vjeshtë, ndërsa tashmë është zgjeruar edhe për sezonin e dhjetë.