Showbiz

“Rolling Stones” ia kthejnë “Bittersweet Symphony” frontmenit të “Verve”

“Rolling Stones” ia kanë kthyer honoraret dhe të drejtat autoriale nga kënga "Bitter Sweet Symphony" Richard Ashcroftit, frontmenit të bendit britanik të viteve '90, “Verve”. Duke e bërë këtë, ata i japin fund një beteje që zgjati më shumë se dy dekada.

"Me kënaqësi njoftoj që nga muaji i kaluar, Mick Jagger dhe Keith Richards ranë dakord të ma jepnin pjesën e tyre të këngës "Bitter Sweet Symphony"," tha Ashcroft në një deklaratë. "Kjo kthesë e mahnitshme dhe konfirmuese-jetësore u bë e mundur nga një gjest i këndshëm dhe magjepsës nga Mick dhe Keith, të cilët gjithashtu kanë rënë dakord që emrat e tyre të mënjanohen nga përshkrimi i këngës si dhe të gjitha honoraret e tyre që rrjedhin nga kënga ata do të m’i bartin mua."

"Bittersweet Symphony" ishte një hit mbarëbotëror në vitin 1997, duke e katapultuar “Verve” në famë dhe duke i sjellë bendit rotacion të rregullt në MTV. Kënga i huazoi katër sekonda të muzikës nga incizimi orkestral i Andrew Loog Oldham i këngës së Stones 'The Last Time.' Verve nuk e mori lejen e plotë për ta përdorur mostrën dhe presioni ligjor e detyroi Ashcroft të heqë dorë nga të drejtat e tij, shkruan KOHA Ditore.

Ky rezultat nënkuptoi që Verve dhe Ashcroft, kompozitori i këngës, nuk e kishin fituar asnjë qindarkë nga suksesi i “Bittersweet Symphony”. Për shembull, kur kënga u përdor në filmat si Cruel Intentions ose serialet televizive si "The Simpsons", paratë e licencimit i shkonin Stonesave.