Showbiz

Rokeri berber nga Kaçaniku që i kthehet muzikës pas 30 vjetësh

Shëtitja përgjatë bregut të Nerodimes ia kujton kohët e arta. Kanë kaluar mbi 40 vjet, por ai ende i kujton momentet kur qytetarët e Kaçanikut këndonin bashkë me të e koncertet zgjasnin deri në dy orë.

Grupi “Fortuna” është themeluar në vitin 1975. Kurse me këngën “Të kërkoj besë”, ky grup kishte zënë vendin e parë në festivalin “Boom” të Ferizajt në vitin 1986. Në krye me Aziz Shehun, pjesë e këtij grupi ishin edhe Kemal Shehu, Sylejman Shehu, të cilët ishin kitaristë, bateristi Afrim Shehu, Gazmend Bajra dhe Naser Bojniku. Shkaku i kushteve jo të mira materiale dhe mungesa e pajisjeve kishte bërë që pjesëtarët e këtij grupi të migronin në Perëndim.

Pas kësaj situate, në vitet ‘80 Shehu e la mikrofonin dhe i kapi gërshërët, transmeton KTV.

Edhe pse nuk ka pasur shumë fitim me punën si berber, ai thotë se ia dilte të bënte një jetë mesatare. Por tash e tre muaj, siç thotë ai, Komuna e Kaçanikut i ka rrënuar lokalet 100-vjeçare tek rruga me kalldrëm në pjesën e “Çarshisë” në Kaçanik, pasi që ishin pjesë e Komunës.

Pas mbylljes së berberhanes në “Çarshi”, Shehu i është rikthyer zanatit të vjetër - ROCK-ut. Tanimë pjesë e grupit të tij “Fortuna” janë tre vëllezër.

Shehu tregon se gjatë sezonit të verës mbajnë më shumë mbrëmje muzikore në kafenetë e Kaçanikut dhe Ferizajt.

Thotë se ka pasur kërkesa nga shoqëria që të kalojë në zhanre tjera të muzikës, por nuk ka pranuar.

Sipas tij, në Kosovë arti në përgjithësi vlerësohej më shumë para luftës. Deri tash Shehu thotë se ka realizuar shtatë këngë.

Kënga e titulluar “Sytë e tu” është e fundit, e cila është publikuar nga grupi “Fortuna”.

Sa të gëzojë shëndet të mirë, Shehu thotë se nuk do ta ndalë zërin për muzikë.

Ky grup ka të hapur edhe faqen e tyre në Facebook, ku bëjnë publikime të mbrëmjeve muzikore që i mbajnë në vend.