Për ta festuar faktin që “Rocketman” i kishte tejkaluar 100 milionë dollarë në arkat kinematografike botërore, Paramount Studios e publikoi një klip të shkurtër të yllit Taron Egerton duke e bërë një shfaqje befasuese me Elton Johnin në Angli.
Dyshja e këndoi një duet të këngës klasike të John "Your Song", e cila e luan një rol kyç në film. Një skenë në film e paraqet muzikantin e ri i cili ka vështirësi që ta kompozojë atë, ndërkohë që ata rreth tij e kuptojnë se ai ka arritur diçka të veçantë, shkruan KOHA Ditore.
Filmi - i përshkruar si një "fantazi e vërtetë" – e përfundoi fundjavën duke i shënuar 100 milionë dollarë në shitjet globale të biletave, njoftoi Box Office Mojo. "Top pesëshen e filmave e përmbyllë Rocketmani i Paramount, i cili ka rënë për 4 për qind në fundjavën e dytë për rreth 14 milionë dollarë (në Shtetet e Bashkuara). Fitimet vendore të filmit tani janë pak më shumë se 50 milionë dollarë pas 10 ditëve të shfaqjes. Në nivelin ndërkombëtar, filmi i shtoi 13 milionë dollarë nga 50 tregje për një inkasim jashtë vendit që tani arrin në pak mbi 51 milionë dollarë dhe një bruto botërore prej mbi 101 milionë dollarë."
Totali mjaftoi që t’ia sigurojë “Rocketmanit” një vend në Top 10 e muzikorëve biografikë më fitimprurës të të gjitha kohërave, duke u plasuar në pozitën nr. 9 dhe me gjasa që të ngrihet në listë para se të përfundojë shfaqja nëpër kinema. Megjithatë, nuk ka të ngjarë që ai ta arrijë suksesin e pabesueshëm të filmit të “Queen”, “Bohemian Rhapsody”, i cili i inkasoi më shumë se 900 milionë dollarë në mbarë botën.