Këngëtarja dhe tekstshkruesja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Rita Ora, i është bashkuar kastës së aktorëve të projektit të ardhshëm të studios, “Disney”, i cili kthehet prapa në historinë e filmit hit në arkat filmike “Beauty and The Beast”.
Lajmi u bë i ditur pasditen e së hënës gjatë sesionit “Disney Branded Television” i organizuar në kuadër të turneut për media të Shoqatës së Kritikëve për Televizion.
Në serialin e ri “Beauty and the Beast”, titulli i së cilit nuk është finalizuar ende, Ora e portretizon një të arratisur me aftësi të jashtëzakonshme e cila me vete e mbanë fshehtësinë që potencialisht mund të ndikojë në mbarë mbretërinë. Me këtë rol, ylli i muzikës i shndërruar në aktore i bashkohet kastës së aktorëve të këtij projekti, si Josh Gad, Luke Evans, Briana Middleton, Fra Fee dhe Jelani Alladin.
Gad shërben si producent ekzekutiv i serialit krahas dyshes, Edward Kitsis dhe Adam Horowitz. Alan Menken dhe Liesl Tommy të cilët i drejtojnë dy episode e para të shout, dhe aktori Luke Evans janë po ashtu producent ekzekutiv.
Ngjarja në serial zë vend disa vjet para historisë së filmit, “Beauty and the Beast”, dhe e shfaq rrugëtimin e Gastonit, LeFous dhe njerkës së këtij të fundit, Tilly, pasi një zbulim befasues nga e kaluara e saj del në dritë.
Rita Ora shquhet për disa role filmike në projekte të tillë si, “Fifty Shades of Grey”, “Fast & Furious”, “Southpaw”, “Pokemon: Detective Pikachu” dhe “Twist”. Si performuese, 31-vjeçarja e famshme i ka siguruar katër këngë të pozicionuara në vendin e parë në toplistat e Britanisë së Madhe, dhe e mban rekordin e artistes britanike me më së shumti hite të pozicionuara në topdhjetëshe në historinë e muzikës në Britani të Madhe.