Legjenda e muzikës, Ringo Starr, sot e feston ditëlindjen e tij të 80-të, por ai thotë se pasioni i tij për muzikë dhe turne, vazhdon të jetë më i fortë se kurrë si dhe nuk planifikon të pensionohet dhe për një kohë të gjatë, transmeton Koha.
Ringo Starr, i cili është themelues i një grupi të quajtur “All-Starrs”, deklaroi: “Tani po bëjë muzikë më shumë se kurrë. Me bendin tim ‘All-Starrs’ e realizoj kryesisht një turne në vit, por tani kam filluar t’i bëjë nga dy turne brenda vitit. Po e jetoj një jetë shumë të bekuar, si në familje ashtu edhe në karrierë. Unë i kam tetë nipa dhe mbesa dhe një stërnip. Jeta është treguar shumë bujare me mua. Dhe ne e kemi fatin që jemi në një biznes i cili nuk na obligon të pensionohemi. Pra, mund të vazhdojmë të bëjmë muzikë derisa të kemi energji dhe kapacitet. Dhe unë planifikoj të vazhdoj të punoj për një kohë të gjatë.”
Fama e Starrit e arriti kulmin gjatë kohës sa ishte pjesë e bendit legjendar, “The Beatles”, kur të gjithë anëtarët e kishin të vështirë të dilnin kudo në publik, pa u përndjekur nga fansat e entuziazmuar.
Sidoqoftë, ikona e muzikës e pranon se tani jeta e tij është shumë më e qetë, sidomos në kohën e pandemisë së koronavirusit, pasi për shkak të maskës nuk po njihet nga njerëzit fare, sa herë që po del nga shtëpia.
“Në fillim, në dëshironim thjeshtë të bënim muzikë, çka edhe e arritëm. Por, pastaj u bëmë aq të famshëm sa e kishim gati të pamundur t’i bënim dhe gjërat më të zakonshme në jetë, siç është shkuarja në restorant. Megjithatë, tani gjërat janë më ndryshe. Ne mund të shkojmë ku të duam. Dhe falë pandemisë, që të gjithë jemi të pajisur mirë me maska të cilat na bëjnë të panjohur për publikun,” citohet të ketë thënë Starr për kanalin BBC.
Pavarësisht kësaj, Ringo Starr e pranon që grupi “The Beatles” vazhdon të jetë një pjesë e madhe e identitetit të tij.