Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Rikthimi i “Jonas Brothers” me projektin e ri “The Album”

Adhuruesit e “Jonas Brothers” u desh të presin katër vjet për një album të ri nga tre vëllezërit këngëtarë. Megjithëse, kjo nuk është asgjë në krahasim me mungesën dhjetëvjeçare të tyre në skenë, para se ta shënonin rikthimin në vitin 2019 me albumin “Happiness Begins”.

Lajmi i mirë është se të premten e kaluar (12 maj), treshja e njohur e muzikës e publikoi albumin e gjashtë të incizuar në studio, i cili e mbanë titullin “The Album” dhe i përfshinë gjithsej 12 këngë të reja.

Frymëzuar nga legjendat e muzikës soul dhe pop si, Stevie Wonder dhe grupet, “Earth Wind & Fire” dhe “Bee Gees”, albumi i ri i vëllezërve Kevin, Joe dhe Nick, vjen i mbushur me tinguj argëtues të përshtatshëm për muajt e ngrohtë të verës. Përmes këngëve, ata e shprehin dashurinë që e kanë për gratë, fëmijët dhe stilin e tyre jetësor.

Ndërkaq, në gusht të këtij viti “Jonas Brothers” e fillojnë turneun muzikor në Amerikën Veriore, i cili ka për qëllim promovimin e projektit të ri, “The Album”. Por, ata u kanë premtuar fansave që përveç këngëve të reja, në koncertet e këtij turneu do të kenë mundësi t’i dëgjojnë edhe disa prej hiteve të tyre më të pëlqyera.

“Shpresoj që njerëzit të ndihen sikur janë pjesë e rrugëtimit tonë për një moment në kohë. Një nga gjërat që e them gjithmonë për fansat e grupit, dhe që mendoj se është nderi më i madh ndonjëherë, është se ata me të vërtetë na kanë lejuar të jemi pjesë e rrugëtimit të tyre. Ne i kemi qëndruar besnikë vetes, më e rëndësishmja, dhe asaj se kush jemi ne si artistë, çfarë duam të themi përmes muzikës sonë dhe çfarë është autentike për ne. Shpresoj që njerëzit të ndihen pjesë e rrugëtimit tonë dhe ta dinë që ne jemi të nderuar që jemi pjesë e jetës së tyre”, deklaroi Nick Jonas.

Në fund, Joe u bëri thirrje të gjithë adhuruesve që ta dëgjojnë albumin nga fillimi deri në fund, dhe të mos e anashkalojnë asnjë këngë sepse secila prej tyre e sjell një histori të caktuar.

Image