Showbiz

Richard Gere flet për dokumentarin e ri për Dalai Lamën

Richard Gere

Richard Gere

Foto: Associated Press

Aktori i njohur, Richard Gere, nuk është vetëm producent ekzekutiv “me emër” në dokumentarin “Wisdom of Happiness”, pasi filmi lidhet thellë me miqësinë e tij shumëvjeçare me Dalai Lamën, udhëheqësi shpirtëror më i lartë i budizmit tibetan.

“Nuk kam punuar kurrë kaq shumë për një film që dua me çdo kusht ta shohë bota. Mendoj se është aq i rëndësishëm saqë duhet t’i jap energjinë time të fundit që ta nxjerr para njerëzve. Të paktën, do të mbjellë një farë brenda kujtdo që e sheh”, ka treguar ai për Variety.

Filmi dokumenton jetën e Dalai Lamës, i cili atëherë ishte 89 vjeç, dhe e paraqet duke folur drejtpërdrejt në kamerë, sikur të ishte një bisedë personale me shikuesin. Gere u bashkua si producent pasi e pa një version të hershëm dhe, së bashku me bashkëpunëtorin e tij të vjetër Oren Moverman, punoi për një muaj në ripërpunimin e filmit dhe muzikës.

Dalai Lama kujton fëmijërinë, familjen, dhe ofron reflektime rreth kërkimit të lumturisë dhe besimit mëshirës dhe shërbimit për të tjerët  duke thënë se janë çelësi i “qetësisë së mendjes”.

 “Kur e pashë për herë të parë, mendova për 90-vjetorin e tij. Thashë, ‘Është fantastik, por mund ta bëjmë edhe më të mirë’. Pastaj, ndërkohë që bota u çmend edhe më shumë, filmi mori një kuptim tjetër për mua. Ka një cilësi ‘shëruese’ në një kohë kur ka një sëmundje të thellë”, ka thënë Gere.

Ai ka theksuar mesazhin e Dalai Lamës që u kërkon shikuesve “të marrin frymë thellë dhe të reflektojnë”.

“Jemi në një rrugë shumë të gabuar, dhe është përkeqësuar vitet e fundit. Edhe mirësia më bazike mungon në mënyrën si flasim me njëri-tjetrin. Kjo vjen nga udhëheqësit tanë, sidomos ai që kemi tani. Si ndodhi kjo? Ne jemi përgjegjës”, ka thënë tutje Gere.

Ai thotë se ndryshimi varet nga zgjedhjet e vet njerëzve.

“Nëse duam një botë të caktuar, duhet të zgjedhim liderë që kanë të njëjtën vizion dhe na çojnë drejt një niveli më të lartë të asaj që mund të jemi”, ka thënë aktori.

Pyetur nëse Dalai Lama mund të ndikonte te presidenti amerikan, Donald Trump, Gere përgjigjet se do të donte të ndodhte kjo.

“Nuk e di nëse do ta prekë. Do të doja. Do të lutesha që të ndodhte. Por nuk e di si mund të shpjegohet ajo që ai i ka bërë këtij vendi, si ndihet të jesh amerikan tani, 10 ose 11 muaj brenda mandatit. Është e pabesueshme”, ka thënë ylli.

Gjatë viteve janë bërë dhjetëra dokumentarë për Dalai Lamën, dhe Gere i ka parë pothuajse të gjithë. Ai madje kujton me të qeshur një skenar filmik shumë të ekzagjeruar.

“Ishte skenari më qesharak që kam lexuar ndonjëherë. CIA po e nxirrte fshehurazi nga Potala Palace, si një lloj Rambo. Ishte absurde”, ka thënë ai.

Aktivizmi i tij për Tibetin e çoi në ndalimin 20-vjeçar nga pjesëmarrja në ngjarjen e ndarjes së çmimeve “Oscar”, pasi në vitin 1993 doli nga skenari dhe kritikoi publikisht politikat e Kinës. Ai u rikthye për të prezantuar vetëm në vitin 2013.

Megjithatë, ai thotë se nuk u mërzit kurrë nga kjo.

“Nuk e mora personale. Nuk mendoj se kishte ‘djem të këqij’. Unë bëj atë që bëj dhe nuk kam qëllim të lëndoj njeri. Dua të luftoj zemërimin, përjashtimin, shkeljet e të drejtave të njeriut. Por përpiqem të qëndroj pranë atyre që beson Lartmadhëria e Tij… që të gjithë janë të shpëtueshëm”, ka thënë ai.

Sa për vetë Dalai Lamën, ai ka parë vetëm disa pjesë të dokumentarit.

“Nuk i intereson të shohë veten. Por kur u shfaqën pamjet e vjetra me miqtë dhe familjen, ai u gëzua shumë duke kujtuar fëmijërinë, si secili prej nesh”, ka thënë Gere.

Dalai Lama është udhëheqësi shpirtëror më i lartë i budizmit tibetan. Ai shihet si rilindja e një figure të shenjtë të budizmit që përfaqëson dhembshurinë, prandaj çdo Dalai Lama konsiderohet vazhdimësi e atij shpirti.

Çfarë do të thotë “Dalai Lama”?

Emri vjen nga gjuha mongole dhe tibetane: Dalai, që do të thotë “oqean” (simbol i dijes së thellë), Lama që do të thotë “mësues shpirtëror”. Pra, Dalai Lama do të thotë “mësuesi i ndritur me dije sa oqeani”.

Kush është Dalai Lama i sotëm?

Dalai Lama i sotëm, i 14-të është Tenzin Gyatso, i lindur në Tibet më 1935.

Ai u njoh si Dalai Lama në moshën 2-vjeçare, u shpall udhëheqës politik dhe shpirtëror i Tibetit, u largua në mërgim në Indi më 1959 pas pushtimit të Tibetit nga Kina, është i njohur në mbarë botën për mesazhet e tij për paqen, dialogun dhe të drejtat e njeriut dhe ka fituar çmimin “Nobel” për Paqen në vitin 1989.

Roli i tij në ditët e sotme

Ai nuk e ushtron më rolin politik të Tibetit (e hoqi këtë rol në vitin 2011), por mbetet figura më e rëndësishme shpirtërore e tibetanëve dhe një nga liderët fetarë më të respektuar në botë.

 Traileri i dokumentarit “Wisdom of Happiness”:
 

 

 

Traileri i dokumentarit “Wisdom of Happiness”: