Regjisori Mattew Vaughn ka fajësuar “kulturën e çmendur dhe obsesive për armët” në lidhje me vrasjen e kinematografes Halina Hutchins në xhirimet e filmit “Rust”.
Drejtoresha e fotografisë është vrarë dhe regjisori Joel Souza u plagos kur aksidentalisht ndaj tyre shtiu aktori Alec Baldwin në xhirimet e filmit vestern. Regjisori i filmit “Kingsman” beson se tragjedia ishte pjesë e një problemi më të gjerë të sjelljes amerikane karshi armëve.
“Është gjendja e kulturës në Amerikë. Në këtë shtet, kultura e armëve është e çmendur dhe ekstreme. Ajo që ndodhi është përtej çdo krahasimi. Në Amerikë, ata thjesht e kapin armën gjatë xhirimeve, sepse besojnë se është gjëja e duhur që duhet bërë”, ka thënë regjisori i njohur.
“Por me pikëllim them se do të ketë zero efekt në ligjet amerikane të armëve. Ky është mentaliteti, kjo është kultura amerikane. Një armë dhe shoubiznesi vrau Halyna Hutchins”, ka shtuar ai.
50-vjeçari ka pranuar se nuk i është lejuar të prekë një numër të madh armësh, përshirë automatikët dhe armët e shkurtra. Në Britani të Madhe ligji lejon vetëm njerëzit e licencuar që të bartin armë nëpër xhirime të filmave.
“Mua nuk më lejohet të prek armët. As regjisorët ndihmës nuk guxojnë t’i prekin armët. Është protokoll i rreptë. Të licencuarit kontrollojnë nëse armët janë të zbrazëta, këtë e bëjnë para syve të aktorëve, pastaj u dorëzohen atyre”, ka sqaruar regjisori britanik.
“Duhet të keni një antiplumb për plumbat e gomës. Nëse dikush do të sillte plumba të vërtetë, do të arrestohej menjëherë”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se regjisorët nuk duhet të përdorin armët e vërteta në epokën e teknologjisë së avancuar. Sipas tij, kamera nuk kap shkrepjen e armës dhe këto gjëra mund të bëhen me efekte speciale.