Aktorja e njohur amerikane Reese Witherspoon ka folur për rrugëtimin e saj profesional dhe për mënyrën se si ankthi dhe dëshira për perfeksion kanë ndikuar në karrierën e saj.
Në një intervistë për numrin dhjetor/janar të revistës Harper’s Bazaar të versionit britanik, 49-vjeçarja ka thënë se pikërisht këto ndjenja e kanë bërë të suksesshme në industrinë e filmit.

“Isha ndoshta e suksesshme, sepse kisha shumë ankth. Të dyja shkojnë dorë për dore. E kisha shtyrë veten në nivele ekstreme për të qenë perfekte në punë. Tani e dimë se perfeksioni nuk është i arritshëm dhe as i qëndrueshëm. E stresoja veten për hir të punës dhe kjo më çoi shumë larg. Në njëfarë mënyre, u shpërbleva për ankthin dhe perfeksionizmin tim”, ka thënë ajo.

Ylli i serialit “The Morning Show”, e cila ka më shumë se tri dekada karrierë, ka shtuar se me kalimin e viteve ka mësuar të jetë më e qetë me veten.
“Po plakem dhe po mësohem me idenë se jam e mjaftueshme. Kam pasur shumë fat, mundësi të mëdha pune dhe kam bashkëpunuar me njerëz të jashtëzakonshëm”, ka thënë ajo.
Witherspoon ka dy fëmijë, Avan 26 vjeçe, dhe Deaconin 21 vjeç, me ish-bashkëshortin e saj, aktorin Ryan Phillippe, si dhe një djalë 12-vjeçar, Tennesseen me ish-burrin Jim Toth.

Ajo ka thënë se përpiqet të ketë komunikim të hapur me fëmijët e saj, ashtu siç kishte pasur me nënën e vet.
“Mamaja ime kurrë nuk e trajtonte shëndetin mendor si diçka të turpshme apo të ndaluar. Ajo fliste për të në mënyrë të qetë, thuajse klinike. Kur isha adoleshente, ajo më pyeste hapur për tema si aktiviteti seksual apo kontracepsioni. Edhe unë jam e tillë me fëmijët e mi, nuk e rrotulloj muhabetin. Nëse diçka më shqetëson, do të jem gjithmonë ajo që shtyn kufijtë dhe bën pyetjet e vështira”, ka shpjeguar aktorja.

Witherspoon do të mbushë 50 vjeç më 22 mars 2026 dhe thotë se ndihet plotësisht në kontroll të jetës dhe karrierës së saj.
“Më pëlqen të plakem. Është diçka e bukur të bëhesh më e mençur dhe të kuptosh vendin tënd në këtë industri. Kam punuar shumë për të arritur këtu dhe ndiej se po jetoj qëllimin tim. E dua punën time. I dua fansat e mi. Jam kapitenja e fatit tim”, ka thënë ndër të tjera aktorja.
