Familja e aktorit të ndjerë, Chuck Norris, ka reaguar pas përhapjes së videove të krijuara me inteligjencë artificiale (AI) në rrjetet sociale, duke paralajmëruar fansat për informacione të rreme që po qarkullojnë pas vdekjes së aktorit legjendar.
Ylli i njohur për rolin në filmin “Walker, Texas Ranger” ka vdekur më 19 mars, në moshën 86-vjeçare. Pas kësaj, familja e tij thotë se janë shpërndarë video dhe postime me përmbajtje të pavërtetë për shëndetin dhe rrethanat e vdekjes së tij.
“Jemi të vetëdijshëm që pas ndarjes së Chuckit nga jeta, kanë qarkulluar një sërë videosh dhe postimesh të krijuara me AI, që përmbajnë informacione të rreme dhe mashtruese për rrethanat e vdekjes, historinë e tij shëndetësore dhe për personat që ishin pranë tij”, thuhet në deklaratën e familjes që është publikuar në rrjetin social Instagram, ka raportuar TMZ.

Familja shton se këto pretendime nuk janë të vërteta.
“Këto pretendime janë plotësisht të pavërteta. Kjo përfshin raporte të sajuara për probleme të mëparshme shëndetësore, si dhe narrativa të rreme për marrëdhëniet familjare”, thuhet në deklaratë.
Edhe
Vdiq legjenda Chuck Norris
Ata u bëjnë thirrje fansave të tregojnë kujdes dhe të besojnë vetëm burimet zyrtare.
“Ju lutemi të mos besoni dhe të mos shpërndani asnjë informacion, përveç nëse vjen drejtpërdrejt nga familja Norris ose një përfaqësues zyrtar i saj”, thuhet tutje në postim.
Familja ka konfirmuar vdekjen e aktorit më herët përmes një mesazhi emocional.
“Me zemër të rënduar, ndajmë lajmin për ndarjen e papritur nga jeta të Chuck Norrisit. Ndërsa dëshirojmë t’i mbajmë private rrethanat, dijeni se ai ishte i rrethuar nga familja dhe në paqe. Për botën ai ishte një artist marcial, aktor dhe simbol force. Për ne ishte një bashkëshort i përkushtuar, baba dhe gjysh i dashur, një vëlla i jashtëzakonshëm dhe zemra e familjes sonë”, thuhej në shkrimin e tyre.
Duke falënderuar mbështetjen e fansave, familja ka shkruar se artisti i konsideronte miq.
“Dashuria dhe mbështetja që mori nga fansat në mbarë botën do të thoshte shumë për të. Për të, ju nuk ishit thjesht fansa, por miq”, thuhej tutje në shkrim.
Edhe
Vdiq në moshën 78-vjeçare aktori i njohur i “Jurassic Park”, Sam Neill
Në fund, ata kërkuan privatësi në këtë periudhë të vështirë.
“Ndërsa po përballemi me këtë humbje, ju lutemi të respektoni privatësinë e familjes sonë”, thuhej në fund të shkrimit.