NBC i ka befasuar fundjavën e kaluar fansat e serialit “This is Us”, duke i miratuar madje tre sezone të tjera. Miratimin për sezonin e katërt e kemi pritur të gjithë, por nuk prisnim ta jepnin dritën e gjelbër menjëherë në sezonin e pestë dhe të gjashtë.
Miratimi i më shumë se një sezoni nuk ndodh shpesh dhe zakonisht është i rezervuar për hit seritë (si për shembull rasti me “Big Bang Theory”, e cila gjithashtu në të njëjtën kohë në vitin 2014 e mori aprovimin për tre sezone), shkruan KOHA Ditore.

Ashtu si në tre sezonet e mëparshme, edhe këto do të përbëhen me nga 18 episode. Tani për tani nuk e dimë nëse kjo do të thotë se sezoni i gjashtë do të jetë edhe i fundit, por supozojmë se kjo nuk do të vendoset për të paktën edhe një vit apo dy. Një nga presidentët e NBC, Paul Telegdy, në pyetjen se a do të përfundojë seria me sezonin e gjashtë u përgjigj vetëm shkurtimisht: "Tani për tani i lëmë të gjitha opsionet e hapura. Krijuesi i serisë Dan Fogelman e ka një plan për serinë, por tani për tani e ka marrë miratimin edhe për tre sezone."
Në serinë e cila bën fjalë për jetën e familjes në periudha të ndryshme kohore luajnë Milo Ventimiglia, Mandy Moore, Sterling K. Brown, Chrissy Metz, Justin Hartley, Susan Kelechi Watson, Chris Sullivan dhe të tjerë, ndërsa të njëjtin ekip të aktorëve presim ta shohim edhe në sezonet e ardhshme.