Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

"Godzilla: King of Monsters" pushton kinematë

Ishte kjo një fundjavë e shkëlqyer për filmin e ri nga franshiza e filmave të MonsterVerse: “Godzilla: King of Monsters” i pushtoi kinematë në mbarë botën dhe i inkasoi madje 179 milionë dollarë.

Në shikim të parë për disa ky do të dukej si një sukses i madh, por në studion Warner Bros nuk janë të kënaqur. Duke pasur parasysh buxhetin prej 200 milionë dollarësh, ata pritën shumë më tepër në tregun e brendshëm (SHBA dhe Kanada) në të cilin i inkasuan vetëm 49 milionë dollarë.

Image

Ky është filmi i tretë nga i ashtuquajturi MonsterVerse: i cili vjen pas Godzillas nga viti 2014, që në atë treg startoi me 93 milionë dollarë dhe Kong: Skull Island nga viti 2017, i cili e pati një fillim më të dobët me 61 milionë dollarë. Të dy filmat arritën sukses të madh në pjesën tjetër të botës, kështu që e njëjta gjë pritet edhe për filmin më të ri, shkruan KOHA Ditore.

Ngjarja e Godzillas së re zhvillohet pesë vjet pas ngjarjes së vitit 2014, gjë që as për së afërmi nuk është kohë e mjaftueshme për njerëzit që të pajtohen me zbulimin e Godzillës dhe me faktin se me atë krijesë duhet ta ndajnë planetin. Filmi është bërë me regji të Michael Dougherty sipas skenarit të cilin ai e shkroi me Zach Shieldson, ndërsa formacionin e aktorëve e përbëjnë: Kyle Chandler, Vera Farmiga, Millie Bobby Brown, Bradley Whitford, Sally Hawkins, Charles Dance, Thomas Middleditch, Aisha Hinds, O'Shea Jackson Jr., David Strathairn, Ken Watanabe dhe Zhang Ziyi.

Në kinema ka mbërritur edhe Rocketman, drama biografike për Elton Johnin, e cila bën fjalë për transformimin e pianistin të turpshëm Reginald Dwight në superyllin botëror Elton John, dhe në të cilin rolin kryesor e realizoi Taron Egerton. Në tregun amerikan filmi startoi me vendin e tretë (në të dytin fundjavën e kaluar ishte Aladdin) me 25 milionë dollarë të arkëtuara që është lajm i shkëlqyer për studion Paramount, të cilët i pritën në mes 18 dhe 20 milionë. Filmi kaloi edhe më mirë në pjesën tjetër të botës, duke i fituar rreth 31 milionë dollarë, kështu që gjithsej i ka tubuar 56 milionë dollarë në fundjavën e parë. Duke marrë parasysh etiketimin R dhe buxhetin prej 40 milionë dollarësh, shifrat e para janë të shkëlqyera.