Pamjet nga intervista e policisë tregojnë momentin kur aktori hollivudian, Alec Baldwin, vendosi dorën mbi gojën e tij dhe ra në heshtje, pasi i treguan se regjisorja Halyna Hutchins kishte vdekur si pasojë si pasojë e një plumbi të shkrepur nga ai në xhirimet e filmit “Rust”.
Hutchins vdiq pasi një armë mbështetëse e mbajtur nga Baldwini u shkrep gjatë provave për filmin në New Mexico, në tetor të vitit 2021.
Pamjet e publikuara nga zyra e Sherifit të Qarkut Santa Fe, tregojnë se Baldwini ishte ulur me dy zyrtare policore në një tavolinë, derisa njëra i tregon se Hutchinsi nuk ka arritur të mbijetojë.
"Kam disa lajme shumë të këqija për t'ju dhënë. Ajo nuk ia doli”, dëgjohet duke i thënë zyrtarja policore.
Aktori 64-vjeçar i habitur tha "Jo!" para se të vendoste dorën mbi gojë dhe ta mbulonte heshtja.
Më pas zyrtarja dëgjohet duke ia shpjeguar se regjisori i filmit Joel Souza, i plagosur nga të shtënat, ishte ende në spital.
Kur u pyet nëse kishte ndonjë gjë që ato mund ta bënin për të, Baldwini tha se donte të telefononte gruan e tij përpara se të dilte nga dhoma.
Baldwini vazhdon të luftojë me një sërë padish që rrjedhin nga incidenti.
Rastet janë paraqitur nga mbikëqyrësja e skenarit, Mamie Mitchell, kreu i ndriçimit Serge Svetnoy dhe familja e Hutchins.
Incidentet si vrasja e regjisores së fotografisë në filmin “Rust” janë shumë të rralla, por jo të padëgjuara më parë.
Në vitin 1993, Brandon Lee, i biri 28-vjeçar i yllit Bruce Lee, vdiq gjatë xhirimeve kur aksidentalisht u qëllua me armë në filmin “The Crow”.