Janë publikuar kandidimet për çmimin atraktiv të filmit “Golden Globe”, që do të mbahet më 5 janar të vitit të ardhshëm në Los Angeles.
"Joker" i regjisorit Todd Phillips është kandiduar në katër kategori për Aktorin më të mirë në dramë, Dramën më të mirë, Regjisorin më të mirë dhe Muzikën më të mirë.
Me 17 kandidime në garën për “Golden Globe Award”, ndër produksionet filmike kryeson Netflix, i cili i ka tri kandidimet për dramën më të mirë filmike dhe një për komedi/muzikor, i ndjekur nga Sony me tetë dhe Disney dhe Warner Bros me nga gjashtë.
Edhe në produksionet televizive, siç është pritur, dominon Netflix me 17 kandidime, HBO ka 15 sish, ndërsa hulu dhe Prime Video me nga 5 kandidime, shkruan KOHA Ditore.
Më së shumti kandidime ndër filmat artistikë ka marrë filmi i Netfilx “Marriage story”, i cili është kandiduar në gjashtë kategori, "The Irishman" i Scorsese i ka pesë, ashtu si "Once Upon a Time in Hollywood" i Tarantinos, ndërsa "Joker" i regjisorit Todd Phillips dhe "The Two Popes", i Fernando Meirelles i fituan nga katër kandidime.
Tek realizimet televizive situata është disi më e barabartë, ku Chernobyl (HBO), The Crown (Netflix) dhe Unbeleivable (Netflix) e kryesojnë listën me nga katër kandidime.
Kandidimet u prezantuan nga aktorët Tim Allen, Susan Kelechi Watson dhe Dakota Fanning, ndërsa si prezantues i ceremonisë është paralajmëruar Ricky Gervais.