Psikologja Shannon Curry ka thënë në gjykatë se aktorja Amber Heard ka çrregullime të personalitetit.
Shanon Curry më parë kishte kryer një vlerësim për aktoren dhe shpjegoi në sallën e gjyqit në Fairfax të Virxhinias – ku Heard po përballet me procesin gjyqësor për shpifje, të ngritur nga ish-bashkëshorti i saj, Johnny Depp – se ajo ka çrregullim të personalitetit, BPD dhe HPD.
Curry, e cila u thirr për të dëshmuar nga ekipi ligjor i Depp, pasi ishte punësuar fillimisht për ta shqyrtuar dosjen në këtë çështje u shpreh: “Rezultatet e vlerësimit të zonjës Heard mbështetën në dy diagnoza: Çrregullimin e Personalitetit BPD dhe HPD.
Ekspertja ka treguar se roli i saj në këtë rast ndryshoi në tetor, kur iu kërkua të bëhej vlerësimi psikologjik i aktores 36-vjeçare.
Curry po ashtu vuri në dukje se Heard e kishte “ekzagjeruar jashtëzakonisht shumë” çrregullimin e saj të stresit post-traumatik pas ndarjes nga aktori i Hollivudit.
Psikologja vuri në dukje gjithashtu se BPD-ja e Heardit karakterizohej nga një “terror i padukshëm i braktisjes”, i cili mund t’i shtyjë njerëzit të bëjnë “përpjekje të kota” për ta parandaluar atë të ndodhte.
“I shihni marrëdhëniet jashtëzakonisht të afërta, që nisin intensivisht”, ka shpjeguar ekspertja.
“Duket sikur është shpirti i tyre binjak i përsosur dhe fillimisht gjithçka duket e mrekullueshme, mirëpo më pas e sheh realitetin, njerëzit nuk janë perfekt.
“Shumica prej nesh i pranojmë njerëzit në tërësi, mirëpo me një person me BPD, këto gjëra shkojnë në ekstreme, personi kalon nga të qenit i idealizuar në kosh të mbeturinave, është i zhvlerësuar dhe nga më të këqijtë...pastaj nis përmirësimi, ku personi me këtë çrregullim fillon të ndiejë keqardhje”.
Sipas Curryt, Heard ishte rast “i sofistikuar” dhe “i llogaritur” i çrregullimit BPD.
Ekspertja – së cilës nuk iu kërkua të jepte të njëjtin vlerësim për Depp - shpjegoi në gjykatë: “Ata marrin personalitetin e njerëzve që duan të jenë përreth. Mënyra se si vishen. Interesi. Mënyra se si flasin”.
Gjyqi pritet të zgjasë edhe pesë deri në gjashtë javë të tjera.