Showbiz

Pink ia plotësoi dëshirën një adhurueseje me sëmundje të pashërueshme

Foto: AP/Associated Press

Ylli i njohur i muzikës, Pink, e ka ndihmuar fansen e saj e cila vuan nga një sëmundje e pashërueshme, që ta largojë njërën prej dëshirave nga lista e gjërave që dëshiron t’i realizojë para se të vdes.

Këngëtarja e hitit “Who Knew” e realizoi një videolidhje përmes Zoomit me superfansen e saj 63-vjeçare, Diane Berberian, e cila vuan nga kanceri në eshtra, duke ia bërë asaj ëndrrën një realitet.

Në klipin e bisedës me tyre të postuar në Facebook, Diane dëgjihet duke i thënë Pinkut: “Ma ke ndreq ditën. Tani më nuk e di se çfarë dëshirash kam futur në listën e gjërave që dua t’i bëjë para se të vdes, sepse ti ishe në maje të saj dhe nuk prisja kurrë që kjo dëshirë të më realizohej”

Edhe Pink nuk ngurroi ta shpreh admirimin e saj për vrapuesen dhe atleten, Diane Berberian, e cila e ka luftuar kancerin me shumë guxim dhe pozitivitet, deri në momentet e fundit.

“Ti e ke një lloj guximi që unë nuk e kuptoj. Ti po i sjell ngushëllim dhe qetësi njerëzve tjerë, derisa po përballesh me sëmundjen tënde dhe po e tejkalon e vetme gjithë këtë situatë”.

Diane tutje i tregoi yllit të hitit “Trouble” se dëgjimi i muzikës së saj, e ka ndihmuar shumë gjatë betejës së gjatë me këtë sëmundje vdekjeprurëse.

“Unë gjithmonë them se tani jam duke i ngjitur shkallët për në parajsë. Shumica e ditëve të mia nisin me këngën e ditës dhe zakonisht është një këngë e jotja. Edhe kur garoja, ishte gjithmonë një nga këngët tua që më shoqëronte. Pink, të dua shumë, dhe më pëlqen gjithçka rreth teje” deklaroi Berberian.

Plotësimi i dëshirës së fundit të adhurueses së saj në prag të vdekjes, vjen pak kohë pasi ylli i muzikës në një postim të fundit në rrjetet sociale, u kërkoi njerëzve që t’i numërojnë bekimet e tyre.

 

THANK YOU TO EVERYONE WHO TOOK THE TIME TO TRY AND MAKE CONNECTIONS... OUR DREAM CAME TRUE!!!!! Pink sang We Are the Champions. Will try to share later

Posted by Diane Berberian on Saturday, November 27, 2021

Më 21 maj të këtij viti, këngëtarja e lansoi dokumentarin e saj të ri me titull, “P!NK: All I Know So Far”, të realizuar nga plartforma “Amazon Prime Video”.

I krijuar nga regjisori i filmit “The Greatest Showman”, Michael Gracey, dokumentari e ndjekë këngëtaren në prapaskenat e turneut të vitit 2019, “Beautiful Trauma Tour”, teksa përpiqet t’i balancojë rolet e saj si nënë, grua, afariste dhe performuese. Kështu, publiku dhe fansat e Pinkut patën rastin të shohim edhe momente intime nga jeta personale e këngëtares së njohur amerikane.

Këngët e fundit të lansuara nga këngëtarja janë, “All I Know So Far”, “Cover Me In Sunshine” dhe “Anywhere Away From Here” të cilën e solli në bashkëpunim me kantautorin britanik, Rag’n’Bone Man.