Paul McCartney është duke i bërë përgatitjet përfundimtare për muzikorin e tij të parë pasi që u dakordua ta bëjë adaptimin e filmit të popullarizuar të James Stewart nga viti 1946, “It’s A Wonderful Life”.
Ish-ylli i Beatles është bashkuar me producentin teatral Bill Kenwright dhe dramaturgun Lee Hall për ta rishfaqur filmin festiv të regjisorit Frank Capra dhe ai e pranon se kjo nuk ishte diçka që e kishte planifikuar kur u kontaktua për herë të parë për projektin në fjalë tre vjet më parë.
"Kompozimi i një muzikori nuk është diçka që më ka tërhequr, por Bill dhe unë u takuam me Lee Hall... dhe fillova të mendoj: 'Kjo mund të jetë interesante dhe argëtuese'", thotë McCartney në një intervistë të marrë nga Press Association. "Ashtu si shumë gjëra të tilla, edhe kjo filloi me email. Bill pyeti nëse kjo ishte diçka që do të mund të bëja... (dhe) It’s A Wonderful Life është një histori universale me të cilën të gjithë mund të ndërlidhemi".
Ngjarja e filmit bën fjalë për jetën e George Baileyt jovetiak, i cili i anulon të gjitha ëndrrat e tij për t’i ndihmuar të tjerët, dhe kur atë e braktis fati, ai tenton të bëjë vetëvrasje, me ç’rast i jepet mundësia nga një engjëll mbrojtës rishtar që të shohë se si do të dukej jeta e miqve dhe të afërmve të tij sikur ai të mos kishte lindur kurrë, shkruan KOHA Ditore.
Filmi i Capra bazohet në tregimin e shkurtër të Philip Van Doren Stern, “The Greatest Gift”.
Muzikori është vendosur të shfaqet vitin e ardhshëm, ndërsa dramaturgu Hall e pranon që bashkëpunimi me McCartneyn ka qenë kulmi i karrierës së tij.
"T’i japësh jetë skenike filmit It’s A Wonderful Life është një privilegj i madh në vetvete, por ta bësh këtë me Paul McCartney është e jashtëzakonshme", thotë fituesi i çmimit Tony. "Zgjuarsia e Paul, ndershmëria emocionale dhe brilanta melodike i sjellin një thellësi dhe gjerësi krejt të re në tregimin klasik. E ndiej sikur një engjëll është kujdesur për mua",