Këmbëngulja e çuditshme e presidentit të SHBA-së, që projekti i vjetër filmik i yjeve, Jackie Chan -Chris Tucker të kthehet në ekran solli një njoftim të papritur këtë javë.
Sipas The Guardian, deri tani, ndikimi i Donald Trumpit mbi industrinë e filmit ka qenë me shpërthime të shpeshta dhe kërcënime juridike të paqarta, figurat më të fuqishme të industrisë së konsoliduar të Hollywoodit nuk kanë shumë zgjidhje veçse t’i nënshtrohen kërkesave të tij. Ajo që presidenti kërkon tani është “Rush Hour 4”.
Vetëm pak ditë më parë, ideja dukej si kapërcim absurd, pak si ai momenti kur Trump, në një fjalim në McDonald’s, kërkoi më shumë sos tartar në ushqimin e tij. Por këtë herë ndodhi vërtet: Trump i tha Larry Ellisonit, aksionerit kryesor të Paramount Skydance, se dëshironte të shihte “Rush Hour 4” dhe tani “Rush Hour 4” po bëhet realitet.
Pra, jemi në një kohë kur presidenti i SHBA-së po dikton çfarë filmash duhet të prodhojë Hollywoodi.
Gazetari i The Guardian, Stuart Heritage, ka shkruar se problemi është që shija e Trumpit për filma është famëkeqësisht e keqe.
“E dini tashmë këtë. Cili njeri normal do të shikonte gjithë historinë e kinemasë dhe do të vendoste se gjëja më urgjente për t’u bërë është vazhdimi i tretë i Rush Hour me Jackie Chan që ka hyrë në të shtatëdhjetat? A ka pasur vërtet Rush Hour 3? Kush e mban mend”, ka shkruar ai.
Sipas tij, sinjalet, kanë qenë aty. Një nga filmat e preferuar të Trump është “Bloodsport” i vitit 1988 me aktorin Jean-Claude Van Damme, dhe mënyra se si e shikon ai përfshin detyrimin e njërit prej djemve të tij që t’ia përshpejtojë skenat e tregimit, që të shikojë vetëm momentet kur dikush merr shkelma në fytyrë. Pastaj është edhe analiza e tij për projektin filmik, “Citizen Kane”, në të cilën ai injoron temën e vetmisë që sjell pasuria dhe thotë se personazhi fiktiv, Charles Foster Kane thjesht duhej të “gjejë një grua tjetër”.
Në fillim, të gjitha këto dukeshin si çudira të pafajshme. Ky është njeriu që duket se e ka mbushur Zyrën Ovale me dekorime me llak si ato të dyqaneve të mobilieve, prandaj s’ka çudi që shija e tij filmike është e dyshimtë. Por Heritage thotë se është evidente: çfarë do Trump, bëhet. Ai rekomandon publikun që të përgatitet për rikthimin e filmave aksion të lodhur, pa logjikë dhe plot muskuj.
Miratimi i “Rush Hour” nga Trump tregon se ai i pëlqen vetëm filmat e dobët të Jackie Chanit. Jo filmi mahnitës “Police Story”, jo “Armour of God”; ai do ato ku Chan duhet të thjeshtojë veten për audiencat perëndimore që hanë kokoshka me gojë hapur.
Kjo do të thotë se, tani që Chan është brenda orbitës së tij, vetëm çështje kohe është derisa presidenti të kërkojë një vazhdim të “Shanghai Noon”, komedisë western që Chan bëri 25 vjet më parë me Owen Wilson. Po, teknikisht ekziston një vazhdim, “Shanghai Knights”, por ishte shumë “sofistikuar”. Harrojeni. Tani do një tjetër film kung-fu në stilin “Wild West”, me dekret presidencial.
Dhe nëse Trump e adhuron “Bloodsport”, atëherë rikthimi i Jean-Claude Van Damme është pothuajse i garantuar. Të bëjmë “Timecop 2”. Ta provojmë një “Double Impact” tjetër ku binjakët e Van Damme zbulojnë një vëlla të tretë të fshehtë. Ta bëjmë një “Cyborg 4”. Një “Universal Soldier 5”. Madje edhe një vazhdim të “Half Past Dead” të Steven Seagal, por me Van Damme. Le ta quajmë “Quarter to Dead”. Kjo, siç thotë satira, është “ajo që populli amerikan e meriton”.
E gjithë kjo do të ishte vetëm fillimi. Mos harroni muajin janar, kur Trump e emëroi Sylvester Stallonen si ambasador të posaçëm të Hollywoodit. Mendoni vërtet se e bëri këtë për të stimuluar prodhimin e filmave në SHBA? Apo sepse mezi pret të shohë “Tango & Cash 2”?
Duhet të jetë opsioni i dytë. Mund të vësh një milion kompjuterë kuantikë të punojnë për një dekadë dhe të gjithë do të arrinin në të njëjtin përfundim: “Tango & Cash” është filmi i preferuar i Stallones për Trumpin. Nuk është “Rambo”, shumë reflektues politikisht në fillim. Nuk është “Rocky”, sepse heroi humbet në filmin e parë. Jo, është “Tango & Cash”.
Si Trump, filmi është nga vitet ’80. Ka një emër qesharak. U urrye nga kritikët, por u dashurua nga një pjesë e madhe e publikut.
Sipas Heritage,“Tango & Cash” është gjithçka që Trump do nga një film: budalla, i dhunshëm, konfuz dhe pa kërkesë reale për vazhdim. Por ai ka rekomanduar ta mbani në mend: derisa Trump ta lërë zyrën, “Tango & Cash 2” do të jetë në prodhim.