Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Parkeri synon të shërohet nga kanceri pas 5 muajsh

Këngëtari britanik, Tom Parker, synon që të shërohet plotësisht nga kanceri brenda pesë muajsh, pavarësisht se është diagnostikuar me tumor të pashërueshëm në tru.

Këngëtarit 33-vjeçar iu dhanë 12 deri në 18 muaj jetë kur u diagnostikua, porse pasi kaloi gjashtë raunde kimioterapie dhe 30 seanca radioterapie, Parkeri shpreson se do t’i heqë qafe qelizat aktive të kancerit deri në mars.

“Gjithmonë do të klasifikohet si i pashërueshëm. Ata ju japin 12 deri në 18 muaj jetë. Por kjo është statistika e përgjithshme. Të gjithëve me të cilët kemi folur kanë qenë shumë, shumë më larg prej kësaj shifre. Tani po synojmë që të jem i lirë nga kanceri deri në mars. Ky është qëllimi. Kjo sëmundje është gjithmonë aty. Mund të keni qeliza të mbetura, por thjesht joaktive. Pra, thjesht do të vazhdojmë dhe ta shohim se si po shkon”, ka thënë këngëtari.

Ylli i hitit “Wanted”, i cili në tetorin e vitit të kaluar kishte treguar se ishte diagnostikuar me tumor të pashërueshëm në tru, kishte humbur 7 kilogramë pas gjashtë javësh të seancave me rrezatim dhe madje kishte menduar që ta braktiste trajtimin.

“Ishin ditët më të errëta të jetës sime. Kur shkoja atje dhe shtrihesha nën ato makina, ishte e tmerrshme. Është e tmerrshme. Shqetësuese. Ju mendoni: ‘A po më bën mirë kjo gjë? A po ka ndonjë ndryshim? A ka ndonjë kuptim që ta bëj këtë nëse do të vdes?’. Nuk do ta lejoj veten që të kalojë nëpër këtë gjë. Dhe kimioterapia ishte shumë e rëndë. Nuk do t’ia uroja askujt”, ka shtuar ai për gazetën “The Sun”.

Parker, i cili ka dy fëmijë - vajzën dyvjeçare Aurelia dhe djalin 11-muajsh Bodhi – me bashkëshorten Kelsey, së fundmi ka thënë se do shumë që ta ketë edhe një fëmijë.