Showbiz

Paris Hilton së shpejti e lanson shoun “Cooking with Paris” në Netflix

Foto: AP/Associated Press

Ylli televiziv Paris Hilton do të shoqërohet nga të famshëm të tillë si, Kim Kardashian dhe Demi Lovato, në shoun e saj të ri i cili do të transmetohet në Netflix, “Cooking with Paris”.

Afaristja 40-vjeçare e cila e ka provuar talentin e saj edhe në fusha të ndryshme të artit, pritet që shumë shpejtë t’i testojë aftësitë e saj në gatim, duke u bërë pjesë e projektit gjashtë episodesh të realizuar nga platforma e njohur digjitale.

Ky shou është inspiruar nga videoja e vitit të kaluar ku ajo shfaqet duke e përgatitur një lazanje, e cila nga atëherë është shikuar nga më shumë se 5 milionë persona në YouTube.

Emisioni i saj i ri e sjell 40-vjeçaren dhe miqtë e saj të famshëm, teksa i blejnë produktet për përgatitjen e recetave të përzgjedhura, e deri tek shtruarja e tryezës dhe krijimi i darkave të shijshme.

Ylli i shout “Simple Life” nuk është një kuzhiniere e trajnuar dhe në promon e emisionit të publikuar të martën, bukuroshja Hilton shihet duke u përpjekur ta mësoj përdorimin e disa mjeteve të kuzhinës dhe produkteve të gatimit.

Të ftuar në sezonin e parë të shout do të jenë yjet, Kim Kardashian, Nikki Glaser, Demi Lovato, Saweetie, Lele Pons dhe nëna dhe motra e Parisit, Kathy dhe Nicky Hilton.

Trashëgimtarja e njohur amerikane shërben edhe si producente e emisionit, krahas producentëve tjerë Aaron Saidman, Eli Holzman dhe Rebecca Hertz.

Shou është prodhim i kompanisë “The Intellectual Property Corporation”, e cila po ashtu e prodhon një tjetër shou të gatimit me të famshëm, “Selena + Chef”, që transmetohet në platformën “HBO Max”. Hilton ka bashkëpunuar me këtë produksion edhe në të kaluarën, në realizimin e dokumentarit për YouTube, “This Is Paris”.

“Jam shumë e lumtur!! Muajin e ardhshëm po rikthehem në televizion, dhe kësaj radhe do ta pushtoj kuzhinën! Emisioni im i ri #CookingËithParis e shënon premierën së shpejti, andaj na ndiqni për më shumë informacione”, kishte shkruar Hilton në paralajmërimin e postuar në rrjetet sociale.

Emisioni “Cooking with Paris” fillon së transmetuari në Netflix nga 4 gushti.

Në lajme të tjera, së fundmi Hilton ishte lajm në mediat botërore për spekulimet se është në pritje të fëmijës së parë me të fejuarin, Carter Reum. Mirëpo të martën, bukuroshja bionde i hodhi poshtë të gjitha këto spekulime, duke thënë se nuk planifikon të mbetet shtatzënë deri sa ajo dhe Carter ta martohen.

Por, 40-vjeçarja e famshme është e bindur se do të bëhet nënë gjatë vitit 2022, por se aktualisht është e zënë me organizimin e dasmës.