Në ditën kur Sean “Diddy” Combs u shpall fajtor për akuza të lidhura me prostitucionin, Jason Swainit nuk mund të mos i rikthehej në mendje ngjarja e më shumë se tri dekadave më herët. Atë kohë në një palestër në Manhattan, vëllai i tij dhe tetë të rinj të tjerë u shkelën për vdekje në një ngjarje bamirësie të organizuar nga një producent i ri muzikor që atëherë njihej si Puff Daddy, ka shkruar CNN.
“Më kujtohet si dje”, i ka thënë Swain CNN-it. “Na treguan një fotografi të tipit polaroid me trupin e vëllait tim 20-vjeçar, Dirk, me sytë ende hapur”.
Ai ka kujtuar nënën dhe prindërit e viktimave të tjera teksa shikonin fotot e fëmijëve të tyre të vdekur. “Babai im ishte i tërbuar me policinë sepse nuk na lejuan ta shihnim Dirkun. Ishte vend krimi”, ka shtuar ai.
Ngjarja ndodhi në muajin dhjetor të vitit 1991 në City College të New Yorkut, ku mijëra njerëz ishin mbledhur për një ndeshje bamirësie basketbolli të organizuar nga Combs dhe Dwight “Heavy D” Myers. Kapaciteti i palestrës ishte 2.730 veta, por sipas raportimeve, aty ishin përpjekur të hyjnë midis 3.000 dhe 4.000 njerëz.
Asnjëherë nuk u ngritën akuza penale për këtë tragjedi, por në vitin 1998 Combs pagoi rreth 750.000 dollarë nga gjithsej 3.8 milionë dollarë që iu dhanë familjeve të viktimave në një proces civil, sipas zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit të New Yorkut. Një gjyqtar i shtetit vendosi se Combs dhe bashkëorganizatori mbanin 50 për qind të fajit për tragjedinë. Pjesa tjetër e përgjegjësisë iu atribuua kolegjit.
Jason Swain dhe e mbijetuara Charrisse Miles kanë thënë se nuk gjejnë ngushëllim në faktin që Combs u shpall fajtor për akuza të tjera.
“Ai kurrë nuk ka marrë përgjegjësi të plotë për vdekjet në City College”, ka thënë Swain.
Në gjyqin që zgjati tetë javë, Combs u shpall fajtor për dy akuza të transportimit për prostitucion, por u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda për trafikim seksual dhe konspiracion mafioz. Ai mund të përballet me dënim maksimal prej 20 vjetësh, megjithëse dënimi përfundimtar do të vendoset në një seancë që ende nuk është caktuar.
Pas shpalljes së vendimit, Combs ra në gjunjë dhe nisi të lutej. Kur u ngrit, i përshëndeti mbështetësit e tij dhe nisi një raund duartrokitjesh. Ata iu përgjigjën me brohoritje.
Por për shumë të tjerë, si Charrisse Miles, kjo sjellje ishte shqetësuese.
“Unë nuk jam psikologe, por kjo sjellje tregon hapur se ai është një narcizoid. Duket sikur po thotë: ‘Unë jam në rregull. Do jem sërish i lirë.’ Nuk ka asnjë reflektim mbi viktimat apo dëmin që ka shkaktuar”, ka thënë ajo.
Miles, e cila ishte 21-vjeçare në vitin 1991, ka kujtuar momentet tragjike.
“Ishte hera e parë që dilja vetëm në një ngjarje të tillë. Kishte turmë, britma, njerëz që binin në tokë... e gjithë situata ishte jashtë kontrollit”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka thënë se e kishte parë Combsin duke ikur me vrap.
“Ai kaloi pranë meje, sikur të thoshte: ‘Duhet të dalim nga këtu’. Nuk ktheu kokën pas”, ka thënë Miles.
Një raport zyrtar i vitit 1992 i kërkuar nga ish-kryebashkiaku David Dinkins përmend përgjegjësinë e organizatorëve dhe veçanërisht të Combsit, duke theksuar se planifikimin e ngjarjes e kishte lënë në duart e bashkëpunëtorëve të papërvojë dhe kishte keqinformuar publikun për natyrën bamirëse të ngjarjes.
Gjykatësi Louis Benza ka shkruar në vendimin e tij se “mbyllja e derës së vetme të hapur të palestrës nga forcat e Combsit, teksa ishin të vetëdijshëm për turmën që lëshohej në shkallë, ka krijuar katastrofën, duke i shtypur njerëzit si ‘sardelet’, derisa u mori frymën”.
Mjeku ligjor ka deklaruar se viktimat kishin vdekur nga “asfiksia për shkak të shtypjes të kraharorit”.
Në një këngë të vitit 1997 me titull “Pain”, Combs përmend ngjarjen.
“Për viktimat e City College, ju u prehshi në paqe. Për familjet, nuk doja t’ju shkaktoja dhimbje. E di të vërtetën, por nëse doni, unë marr përsipër fajin”, thuhet në këngë.
Por Swain ka thënë se kjo nuk mjafton.
“Viktimat janë fshehur ndër tepih. Askush nuk flet për ta”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar me zë të lartë se para kësaj ngjarjeje ka ndodhur një plagosje me plumba, incident nga i cili e patën shpëtuar Dirkun.
“Dirku im donte të bëhej arkitekt, frymëzuar nga babai në ‘The Brady Bunch’. Ishte artist, një vëlla që më rriti si baba. Ne e rikthyem pas një plagosjeje me plumba, dhe pastaj e humbëm në këtë ngjarje. Humbja e tij më la pa mend”, ka thënë ndër të tjera Swain.