Showbiz

Organizatorët e “Golden Globes” tregojnë a do të rikthehet Nikki Glaser si moderatore në vitin 2027

Nikki Glaser

Nikki Glaser

Foto: Associated Press

Komediania, Nikki Glaser, mund të jetë në rrugë të mirë për ta prezantuar “Golden Globes” edhe për të tretin vit radhazi.

41-vjeçja u rikthye këtë vit për herë të dytë si moderatore e ceremonisë, që u mbajt më 11 janar, dhe organizatorët janë më se të kënaqur me performancën e saj.

Producenti Glen Weiss ka thënë për Variety se ende nuk ka pasur diskutime zyrtare për edicionin e vitit 2027, por shpreson që Glaser të rikthehet.

“Të gjithë kemi qenë të fokusuar te ky vit. Nuk ka pasur biseda për të ardhmen. Por, nëse më pyet çfarë ndjej në zemër, unë sigurisht shpresoj që po”, ka thënë ai.

Weiss e ka përshkruar Glaseren si moderatore ideale për këtë ceremoni, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e saj.

“Nikki është një talent i jashtëzakonshëm dhe mendoj se e ka gjetur vërtet vendin e saj këtu. Ajo është një moderatore perfekte për ne”, ka thënë ai.

Weiss ka shtuar se Glaser është një nga njerëzit më punëtorë në industrinë e argëtimit.

“Ajo punon jashtëzakonisht shumë, ushtron vazhdimisht materialin dhe bën ndryshime deri në momentin e fundit para se të dalim drejtpërdrejt. Duhet ta vlerësoj jo vetëm për sa komike është, por edhe për sa shumë përkushtohet dhe sa e përshtatshme është për këtë rol”, ka thënë ai.

Gjatë monologut hapës të ceremonisë, Glaser nuk ngurroi të bënte shaka edhe me transmetuesin CBS News, ani se “Golden Globes” u transmetua pikërisht në CBS.

“Çmimi për montazhin më të madh i shkon CBS News. Po, CBS News: vendi më i ri në Amerikë për të parë ‘lajme B.S.’”, ka thënë ajo me humor.

Producenti Ricky Kirshner u pyet nëse kishte reagime negative nga televizioni për këtë shaka. Ai tha se gjithçka u mor me sportivitet.

“Kur fillon me shaka për operacionet plastike, e vendos tonin se nuk je aty për të sulmuar askënd”, ka shpjeguar ai.

Kirshner ka treguar se gjatë provës gjenerale ishte ulur pranë një drejtuesi të CBS.

“Kur Nikki e tha shakanë, drejtuesja e CBS-it dërgoi disa mesazhe dhe tha: ‘Po, është në rregull. Nuk ka problem’”, ka thënë ai.