Showbiz

Operacioni që ia shpëtoi jetën transgjinorit Page

Elliot Page ka thënë se operacioni i ndërrimit të gjinisë ia ka “shpëtuar jetën”. Ylli i nominuar për “Oscar” ka folur për herë të parë në një intervistë me Oprah Winfrey, për çastin kur ka treguar se është burrë transgjinor.

Ai ka thënë se ishte “thelbësore dhe e rëndësishme” ta shpaloste këtë gjë në një kohë kur komuniteti transgjinor po përballet me “reagime të tmerrshme”. Kjo është intervista e tij e parë televizive, qëkur ka njoftuar se është transgjinor me anë të një letre të hapur në mediat sociale në muajin dhjetor.

Aktori kanadez ka thënë se operacioni i pjesës së lartë të trupit ka bërë që të ndihet rehat me trupin e tij, ndoshta për herë të parë në jetë. Ky operacion përfshin largimin e indeve të gjirit për të krijuar gjoks mashkullor.

“Jo vetëm që ma ka ndryshuar jetën, por besoj se ma ka shpëtuar jetën dhe kështu është për shumë njerëz. Dhe për arsye se transgjinorëve po u cenohet e drejta për kujdes shëndetësor”.

Aktori po i referohej një numri të madh ligjesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që po ua ndalojnë transgjinorëve që të kenë qasje në trajtime të caktuara mjekësore. Intervista, që do të publikohet në Apple TV + të premten, ishte e para qëkur Page doli si transgjinor në dhjetor, një njoftim që u vlerësua nga komuniteti transgjinor i Hollywoodit si "frymëzues".

Gjatë intervistës, Page u përlot kur u pyet se çfarë e kishte lumturuar më së shumti nga transicioni.

“Gjërat e vogla” është përgjigjur Page, të tilla si veshja e një bluze. Page u bë i famshëm në tërë botën me rolin e një adoleshenteje shtatzënë në filmin e vitit 2007, “Juno”.

Filmat e tjerë ku ka marrë pjesë janë: “Inception” dhe seritë “X-Men”, kurse së fundmi ka luajtur në serialin e Netflixit, “The Umbrella Academy Umbrella”.

Page bëri të ditur se është homoseksual më 2014, duke i thënë një publiku në Las Vegas: “Jam lodhur duke u fshehur dhe jam lodhur duke gënjyer”.

Aktori, që ka qenë i martuar me koreografen Emma Portner, para se të njoftonte se ishin shkurorëzuar në shkurt, ka qenë aktivist i shquar për të drejtat e LGBT-së.