Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Një paralajmërim pak më ndryshe për “Detective Pikachu”

Teaserët dhe klipet e deritanishme për filmin për Pokemonët, “Detective Pikachu”, na treguan se për çfarë do të bëhet fjalë përafërsisht dhe se si Pokemonët janë simpatikë dhe çfarë mund të bëjnë. E takuam Pikachun dhe e pamë se si ai erdhi deri tek Tim Goodman (Justice Smith). Ryan Reynolds, i cili ia huazoi zërin Pikachus, tani në rrjetet sociale ka postuar një teaser pak më ndryshe.

Në videon më të fundit, kemi mundësinë ta shohim se sa është e bukur bota e pokemonëve. Teaserin e ndjek kënga e përshtatshme “What a Wonderful World” nga Louis Armstrong (titulluar në mënyrë të përshtatshme “What a Pikachu World”), në të cilën e shohim të gjithë bukurinë e pokemonëve (Bulbasaur, Charmander...) dhe në të cilën Tim Goodman njoftohet me botën për të cilën nuk dinte se ekzistonte. "Dëgjo, vogëlush, po të ishte babai yt këtu, do të të përqafonte aq fort se do të të këputeshin eshtrat" i thotë në një moment Pikachu, shkruan KOHA Ditore.

Filmi e ka titullin e plotë “Pokémon: Detective Pikachu” ndërsa regjinë e ka bërë Rob Letterman. Tregimi fillon me zhdukjen e hetuesit privat Harry Goodman, djali i të cilit Timi është i vendosur ta gjejë atë. Timit i vjen një ndihmë e pazakontë, ish partneri i Harryt Pokemon, Detective Pikachu. Dyshja do t’i bashkojnë forcat për ta zgjidhur misterin e zhdukjes së Harryt, ndërsa njëkohësisht do të zbulojnë sekrete të ndryshme të cilat mund ta shkatërrojnë botën e Pokemonëve...

Në rolet e tjera shfaqen Suki Waterhouse, Kathryn Newton, Rita Ora, Bill Nighy, Rob Delaney dhe Ken Watanabe.

Detective Pikachu do ta ketë premierën botërore më 10 maj.