“Sundimit” të Nicollette Sheridan në rolin e Alexis Carrington në versionin e ri të kult serialit “Dynasty” i ka ardhur fundi. Aktorja do ta braktisë serinë para përfundimit të sezonit të dytë, e cila po shfaqet aktualisht.
Roli i komplotistes, e cila në vitet tetëdhjeta e bëri të famshme Joan Collins, do të mund t’i takojë një aktoreje të re, por tani për tani nuk është vendosur zyrtarisht se cili është fati i këtij roli, shkruan KOHA Ditore.

"Nicollette Sheridan do ta braktisë ‘Dynasty’ që t’u përkushtohet disa çështjeve personale dhe familjare", thuhet në një njoftim të përbashkët të nënshkruar nga CBS dhe CW.
Sheridan u shfaq për herë të parë në rolin e Alexis në mes të sezonit të parë ndërsa për herë të fundit do të shfaqet në ekranet e vogla në mars, pak para fundit të sezonit të dytë, i cili po shfaqet aktualisht. Largimi i saj nga seria është pasuar nga largimi i Nathalie Kelley, e cila e luajti Cristal Flores Carrington, e cila e braktisi serinë pas sezonit të parë dhe u zëvendësua nga Ana Brenda Contreras si "Cristal e vërtetë". Në fund të vitit të kaluar, James Mackay, i cili e luante rolin e Steven Carrington, gjithashtu e braktisi serinë, por do të kthehet në rolin e mysafirit.
Seria është aktualisht në mes të sezonit të dytë, dhe pavarësisht nga shikueshmëria relativisht e dobët, e ka marrë miratimin për sezonin e tretë.