Pas pak ditësh Netflix na sjell një “dhuratë” të vërtetë, sezonin e pestë të serisë antologjike “Black Mirror”.
Tregimet e reja fantashkencore për teknologjinë dhe të gjitha avantazhet dhe disavantazhet e saj do të jenë në dispozicion brenda më pak se një javë, nga e mërkura më 5 qershor. Kohët e fundit e kemi parë trailerin e shkëlqyer i cili na tregoi se çfarë na pret përafërsisht, ndërsa tani janë ofruar tre posterë zyrtarë, për shkak të të cilëve rritet edhe më shumë kureshtja për sezonin e ri.

Episodi i parë titullohet “Smithereens”, ndërsa në rolet kryesore janë Andrew Scott, Damson Idris dhe Topher Grace. Ngjarja bën fjalë për shoferin e taksisë i cili papritmas e gjen veten në qendër të vëmendjes, kur një ditë në jetën e tij gjithçka del jashtë kontrollit.
Ylli kryesor i episodit të dytë është Miley Cyrus, e cila është në rolin e yllit të popit me të cilën një vajzë e vetmuar adoleshente dëshiron ta kontaktojë. Por, nuk është gjithçka aq e bukur siç i dukej asaj. Episodi titullohet “Rachel, Jack and Ashely Too”, ndërsa në role të tjera paraqiten edhe Angourie Rice dhe Madison Davenport, shkruan KOHA Ditore.
Episodi i tretë i “Striking Vipers” bën fjalë për miqtë të cilët pas një kohe të gjatë takohen përsëri dhe kjo e fillon një varg ngjarjesh të cilat do ta ndryshojnë jetën e tyre përgjithmonë. Në këtë episod luajnë Anthony Mackie, Jahya Abdul-Mateen II, Nicole Beharie, Pom Klementieff dhe Ludi Lin.
Disa adhurues nuk janë të lumtur që ky sezon i përmban vetëm tre episode, por ka të bëjë me faktin se filmi interaktiv i metrazhit të gjatë “Black Mirror: Bandersnatch”, i cili u publikua më 28 dhjetor 2018, është pjesë e këtij sezoni. Sezoni i parë gjithashtu i kishte 3 episode, sezoni i dytë i kishte 4, ndërsa i treti dhe i katërti i kishin nga 6 episode. Seria i ka fituar 6 Emmy Awards dhe dhjetëra të tjera.