Showbiz

Netflix do t’i redaktojë skenat në Squid Game ku shihet numri i telefonit

Netflix ka thënë se do t’i redaktojë skenat për shkak të numrit të telefonit që shfaqet në serialin tashmë të famshëm Squid Game pasi një grua tha se është telefonuar disa herë në telefonin e saj.

Squid Game është duke u bërë një nga serialet më të shikuara të Netflix.

Një biznesmene në Seongju, në jug-lindje të Koresë së Jugut, tha për mediat lokale se kishte marrë mijëra mesazhe dhe telefonata në telefonin e saj "deri në atë pikë sa është e vështirë për mua të vazhdoj jetën e përditshme”.

“Ky është një numër që e kam përdorur për më shumë se dhjetë vjet, kështu që jam befasuar shumë. Ka më shumë se 4,000 numra që më është dashur të fshij nga telefoni im” tha ajo për Money Today.

Netflix nuk ka komentuar për kompensimet, por ka kërkuar nga fansat që të mos thërrasin në atë numër.

“Bashkë me produksionin e kompanisë, ne jemi duke punuar që ta zgjidhim këtë çështje, përfshirë edhe redaktimin e skenave të cilat përmbajnë numrin e telefonit”, thuhet në reagimin e tyre.

Seriali për herë të parë është hedhur më 17 shtator.