Është tejet e rrallë që dikush t’ia huqe llogarisë në të cilën dëshiron të bëjë pagesë. Por kjo ndodh edhe në Hollywood, tek aktorët më të mëdhenj. Ylli i “The White Lotusit”, Tom Hollander, ka treguar se njëherë ka pranuar një bonus që ishte paraparë për yllin e “Spidermanit”, Tom Holland.
Duke folur në “Late Night” me Seth Meyers, Hollander ka treguar se të dy e kishin agjentin e njëjtë dhe njerëzit në departamentin e financave ishin konfuzë.
“Ka qenë shumë e vështirë, sepse unë isha i pari aty, por ai është tejet i famshëm”, ka thënë aktori duke qeshur.
Duke shpjeguar se si e zbuloi pagesën e gabuar, Hollander ka thënë se ishte duke shikuar një mik në teatër që po paguhej 300 funte.
“Isha i ulur në audiencë i vetëkënaqur, pasi sapo kisha pasur një shfaqje në BBC për 30 mijë e diçka funte, që po ma siguronte vitin dhe po mendoja ‘kjo është e mrekullueshme, jam shumë i suksesshëm”, ka treguar ai.
Në kohën sa po shikonte e-mailet, aktori thotë se kishte parë një “bonus për ‘The Avengers’”.
“Ishte vlerë e jashtëzakonshme”, ka treguar 56-vjeçari. “Nuk ishte paga e tij. Ishte bonusi i parë në filma. Nuk ishte bonusi i plotë, por vetëm i pari. Dhe ishte shumë më e madhe që kisha parë. Ishte shumë shtatëshifrore. Ndjenja e vetëkënaqësisë mu zhduk”.
Edhe
Tom Holland pro kinemasë tradicionale
Holland ka luajtur në gjashtë filma të “Spidermanit”.
“Sigurisht që në pamje nuk më ngatërrojnë, por në kontekstet jovizuale, më ngatërrojnë në vazhdimësi. Kur flas me kompani... apo kur i prezantohem dikujt që më pret me shumë lumturi, më pas zhgënjehen”, ka thënë tutje ai.
Nuk është hera e parë që në mesin e emrave me famë botërore ka ngatërresa të tilla. Më 2022, fizikani Brian Cox dhe aktori Brian Cox i kishin treguar BBC-së se si emrat e tyre u kishin shkatërruar ngatërresa. Dyshja kanë thënë se shpesh kur kanë shkuar diku njerëzit u kanë thënë se po e prisnin Brian Coxin tjetër. Fizikani Cox madje pati treguar se kur pati tentuar të rezervonte një dhomë hoteli nuk i ishte lejuar sepse “nuk mund të bëheshin dy rezervime me të njëjtin emër”.