Aktori i njohur, Michael Douglas, ka thënë se nuk ka më një “dëshirë të zjarrtë” për t’u kthyer në aktrim, por e lë të hapur mundësinë nëse do të vinte ndonjë rol i mirë.
Aktori 80-vjeçar, i cili u pa për herë të fundit në ekran në rolin e Benjamin Franklin në miniserialin “Franklin” të platformës Apple TV+ në vitin 2024, është fokusuar kohët e fundit te kompania e tij e produksionit, “Further Films”, dhe po shijon më shumë kohë me bashkëshorten, aktoren Catherine Zeta-Jones.
“Jam duke e shijuar pushimin tim dhe jetën time. Ishte e lodhshme të drejtoja kompaninë e produksionit dhe të aktroja njëkohësisht”, u shpreh Douglas për Deadline, ka raportuar FemaleFirst.
Ylli nuk është pensionuar nga aktrimi, por thekson se do të pranonte të kthehej vetëm për ndonjë projekt të veçantë.
“Po, nëse del diçka e mirë që më pëlqen vërtet. Por nuk ndiej ndonjë dëshirë të fortë për t’u kthyer. Jam ende duke prodhuar. E dua ende procesin e të bashkuarit të njerëzve”, ka thënë ai.
Douglas luajti rolin e Dr. Hank Pym në serinë e filmave “Ant-Man” nga Marvel, por ka pranuar se “Ant-Man and the Wasp: Quantumania” i vitit 2023 ishte hera e fundit në atë rol.
“Nuk besoj se do ta luaj sërish. E përjetova atë eksperiencë dhe isha i emocionuar ta bëja. Nuk kisha bërë kurrë një film me prapavijë të gjelbër më parë”, ka thënë aktori.
Ylli ka zbuluar gjithashtu se ka xhiruar filmin “Blood Knot” së bashku me djalin e tij, Cameron Douglas, por ende nuk dihet kur do të shfaqet për publikun.
“Besoj se është ende në kërkim të shpërndarjes”, ka shtuar ai.
Douglas kishte kërkuar që personazhi i tij në “Quantumania” të vdiste në mënyrë dramatike.
“Të vritesha ishte kërkesa ime për filmin e tretë. Thash: Dua një vdekje serioze, me të gjitha ato efekte speciale të mrekullueshme. Duhet të ketë ndonjë mënyrë fantastike ku unë zvogëlohem në madhësinë e një milingone dhe shpërthej… çfarëdo qoftë. Dua t’i përdor të gjitha ato efekte”, ka thënë ai në emisionin The View.
Edhe pse dëshira nuk iu plotësua, ai e kishte bërë të qartë që atëherë se ishte e pamundur të rikthehej në rolin e Hankut.
“Por kjo ishte për filmin e fundit. Tani, nuk besoj se do të shfaqem në ndonjë të katërt”, ka thënë ndër të tjera Douglas.