Yjet e kinematografisë, Michael B. Jordan dhe Will Smith, do të luajnë në një vazhdim të ri të filmit “I Am Legend”.
Dy aktorët e famshëm hollywoodian i bashkojnë forcat për projektin e ardhshëm, ku 53-vjeçari Smith do ta përsëris rolin e tij nga filmi hit i vitit 2007, Robert Neville, një shkencëtar brilant i cili i mbijeton sëmundjes epidemike që i transformon njerëzit në mutantë gjakpirës.
Përveç që do t’i luajnë rolet protagoniste, Jordan dhe Smith po ashtu vijnë në rolin e producentëve të filmit të ardhshëm.
Regjisori australian, Francis Lawrence e ka bërë regjinë e filmit të kaluar, “I Am Legend”, por ende nuk është caktuar se kush do ta bëjë regjinë e vazhdimit të dytë. Ndërsa, skenaristi Akiva Goldsman i cili e kishte adaptuar romanin e vitit 1957 për filmin e parë, do ta shkruaj edhe skenarin e filmit të ri.
Will Smith e ka filluar mbarë vitin me fitimin e disa çmimeve të rëndësishme kinematografike, për performancën e shkëlqyer në filmin biografik “King Richard”. Ai është në mesin e aktorëve të nominuar për “Oscar” sivjet dhe sipas kritikëve të filmit, ka shanse të mira për t’u nderuan me çmimin e parë akademik në karrierën e tij të gjatë kinematografike.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm që e gëzoi me filmin e bazuar në Universin Kinematik Marvel, “Black Panther”, aktori Michael B. Jordan në nëntor të këtij viti e shënon debutimin regjisorial me filmin e ardhshëm “Creed III”.