Studioja filmike “Universal Pictures” e ka publikuar trailerin e parë të filmit të ri horror, “Megan”.
Filmi i cili vjen me regji të Gerard Johnstone, e rrëfen historinë e një mrekullie të inteligjencës artificiale, një kukull e programuar për të qenë shoqëruesja më e mirë e fëmijëve, dhe aleatja më e përshtatshme për prindërit. E dizenjuar nga robotistja e shkëlqyer e kompanisë së lodrave, Gemma, kukulla e quajtur Megan mund të dëgjojë, shikojë dhe mësojë ndërsa bëhet shoqe, mësuese dhe mbrojtëse për fëmijën me të cilin është e lidhur. Kur Gemma befas bëhet kujdestare e mbesës së saj 8-vjeçare jetime, Cady, ajo ndihet e pasigurt dhe e papërgatitur për të qenë prind. Nën presionin e madh në punë, Gemma vendos ta bashkojë prototipin e saj, Megan me Cadyn, në një përpjekje për t’i zgjidhur te dy problemet, një vendim ky që përfundon me pasoja të paimagjinueshme për të gjithë.
Në horrorin e ardhshëm luajnë aktorët, Allison Williams, Violet McGraw, Ronny Chieng, Brian Jordan Alvarez, Jenna Davis dhe të tjerë.
“Megan” lansohet nëpër kinematë e Amerikës nga 13 janari i vitit të ardhshëm.