Historia e alpinistit të famshëm britanik George Mallory, i cili ishte përpjekur që të bëhej i pari burrë që ka ngjitur majën më të lartë në botë, Everest, do të shpaloset në ekranin e madh.
Aktori Ewan McGregor ka nënshkruar kontratë për ta portretizuar rolin e Malloryt, i cili ka vdekur afër Everestit në qershorin e 1924-s, kur ishte 37 vjeç.
Filmi është një nga projektet e regjisorit Doug Liman, drejtuesi i “The Bourne Identity”. Xhirimet janë parashikuar që të nisin në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Itali në fillim të vitit 2022, ka raportuar revista “Variety”.
“Everest” është projekti më i fundit i rangut të lartë për 50-vjeçarin McGregor, i cili do të paraqitet si disenjatori Halston në disa seri në Netflix.
Përkrah aktorit skocez, në këtë film do të luajë edhe 41-vjeçari Sam Heughan, ylli i “Outlander”.

Pjesë e ekipit është edhe aktori anglez 57-vjeçar, Mark Strong.
Strong ka pranuar rolin e Arthur Hinksit nga Shoqëria Mbretërore Gjeografike, që e ka angazhuar Malloryn për ta udhëhequr ekspeditën britanike në Everest.
Më 1922, Mallory kishte udhëhequr një ekspeditë të dytë, ku përfshihej australiani George Finch, që portretizohet në film nga Heughani.
Finch ishte pionier për përdorimin e rezervuarëve të oksigjenit për ngjitjet në lartësi të mëdha.
Gjersa në ngjarjen e 1922-s, ekipi i Malloryt kishte thyer rekord për ngjitje në lartësi pa përdorimin e oksigjenit shtesë. Mirëpo ai nuk arriti që të ngjitej në majë.
Dy vjet më vonë, Mallory ishte nisur përsëri me këmbënguljen e Hinksit, por këtë herë pa Finchin.
Ai dhe alpinisti tjetër Andrew Irvine u panë për herë të fundit, duke iu afruar majës së malit para zhdukjes në re.
Fati i tyre mbeti mister deri në vitin 1999, kur alpinisti Conrad Anker u ndesh në trupin e Malloryt, që ishte ruajtur nga bora dhe akulli. Kjo çështje ende është pjesë e debateve të gjera nëse ai dhe Irvine kishin arritur apo jo në majën e Everestit, para se të vdisnin.
Janë dashur edhe 29 vjet që mali më në fund të pushtohej.