Warner Bros dhe New Line Cinema e kanë prezantuar më në fund trilerin e ri për “Shazam!”, filmin më të ri në botën e zgjeruar filmike të DC.
Regjinë e filmit e ka bërë David F. Sandberg, ndërsa filmi e tregon historinë rreth tinejxherit Billy, i cili, kur e thotë fjalën "Shazam", shndërrohet në një superhero të rritur. Asher Angel e luan rolin e djaloshit, ndërsa versionin e rritur e luan Zachary Levi. Jack Dylan Grazer e luan shokun më të mirë të Billyt, dhe edhe pse filmi është vendosur në botën e famshme të DC, filmi dallon nga filmat :Batman vs Superman” dhe “Man of Steel”, sepse nuk është aq i errët dhe serioz, por ka atmosferë më "argëtuese".

Përmbledhja zyrtare e filmit e shpjegon të gjithë ngjarjen: “Të gjithë në vete e kemi superheroin, vetëm duhet pak magji që ai të shfaqet. Në rastin e Billy Batson, thënia e një fjale - Shazam! - dhe ky djalosh 14-vjeçar i adoptuar dhe i rritur në rrugë, mund të shndërrohet në një version të rritur të superheroit Shazam, gjë të cilën ia ka mundësuar magjistari i lashtë. Si fëmijë në zemër – brenda një trupi muskulor dhe hyjnor - Shazam e shijon versionin e rritur të vetes duke e bërë atë që çdo tinejxher do ta bënte: argëtimin! A mund të fluturojë? A ka shikim rëntgeni? A mund të gjuajë vetëtima nga duart e tij? A mund ta kalojë testin e sociologjisë? Shazam i eksploron kufijtë e mundësive të tij me një pakujdesi të hareshme të një fëmije. Megjithatë, ai do të duhet t’i kontrollojë fuqitë e tij për të luftuar kundër forcave të liga vrastare që kontrollohen nga dr. Thaddeus Sivana (Mark Strong), shkruan KOHA Ditore.
Skenarin për Shazam! e ka shkruar Henry Gayden, dhe e ka punuar sipas tregimit të shkruar së bashku me Darren Lemke. Gjithashtu në film luajnë Grace Fulton, Faithe Herman, Ian Chen, Jovan Armand, Cooper Andrews dhe Marta Milans. Filmi arrin në kinema më 5 prill.