Ka mbërritur teaser-trileri i parë për sezonin e dytë të serialit të Netflixit “Mindhunter” dhe në disa kuadro i zbulon vrasjet dhe misterin që jemi mësuar ta shohim në këtë dramë për vrasësit serik.
Në triler agjentët e FBI-së Holden Ford (Jonathan Groff) dhe Bill Tench (Holt McCallany) vizitojnë një fytyrë të njohur: vrasësin e preferuar të fansave, Ed Kemper (Cameron Britton), shkruan KOHA Ditore. Dyshja, të cilët me sa duket janë përsëri bashkë pasi që e ardhmja e Departamentit të shkencës biheviorale u la e varur në fund të sezonit të parë, erdhi në vizitë të Edit për t'u këshilluar rreth një vrasësi serik të ri të panjohur.
"Ai e ka një jetë shumë të zhvilluar imagjinare, ai fantazon për atë që e ka bërë dhe çfarë planifikon të bëjë", u thotë Kemper, duke shtuar: "Ëndrrat e tij e pushtojnë atë. Së shpejti bota e vërtetë nuk do të mundë të krahasohet me të."
Teaseri na zbulon gjithashtu një grua të panjohur që ecën ngadalë nëpër shtëpi dhe zbulon diçka të frikshme në banjë, edhe pse është e paqartë se çfarë ose kë sheh.

Në teaser gjithashtu kemi mundësi t’i shohim shkurtimisht edhe disa vrasës të tjerë të famshëm: Charles Manson, djalin e Sam (David Berkowitz) dhe ngufatësin e maskuar BTK.
Sezoni i dytë duhej të bënte fjalë për vrasjen e fëmijëve në Atlanta, serinë e 28 vrasjeve, kryesisht të fëmijëve dhe adoleshentëve, të gjithë afro-amerikanë, e cila u krye në Atlanta nga viti 1979 deri në vitin 1981, dhe do të jenë në dispozicion në Netflix nga 16 gushti, ndërsa teaseri është gjithashtu në dispozicion në faqen zyrtare interaktive, së bashku me të gjitha detajet e tjera që lidhen me serinë.