Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Mbajtja e “Eurovisionit” në shqyrtim, sherri i koronavirusit

Bashkorganizatorët e garës evropiane të këngës “Eurovision”, i cili sivjet do të mbahet në qytetin holandez Rotterdam gjatë majit, kanë bërë të ditur të premten se janë duke i rishikuar opsionet rreth zhvillimit të këtij festivali shkaku i shpërthimit të koronavirusit.

Autoritetet shëndetësore kanë bërë të ditur se një burrë 86-vjeçar, që ishte i infektuar me virusin, ka vdekur të premten në Rotterdam, në rastin e parë të fatalitetit në Holandë nga epidemia që ka origjinën nga Kina dhe që është përhapur në 85 vende të botës.

Holanda ka raportuar rastin e parë të infektimit me virusin Covid-19 më 27 shkurt. Deri të enjten në këtë shtet janë konfirmuar gjithsej 82 raste.

Transmetuesi holandez NPO ka njoftuar se organizatorët e “Eurovisionit” do t’i marrin për bazë këshillat e autoriteteve shëndetësore për të vendosur më pas rreth formës së organizimit të ngjarjes, që duhet të mbahet më 12, 14 dhe 16 maj. Mirëpo transmetuesi refuzoi t’i zbardhë hollësitë rreth alternativave që janë duke u shqyrtuar.

“Eurovizioni” përcillet çdo vit në spektaklin e drejtpërdrejtë nga dhjetëra mijëra shikues, ndërsa tërheq më shumë se 200 milionë shikues kudo në botë.

Tubimet publike deri më tani nuk janë kufizuar në Holandë, në kuadër të përgjigjes ndaj koronavirusit.