A është Keanu Reeves i gatshëm të bashkohet me Marvel Cinematic Universe? Sepse kurdo që është i gatshëm ta luajë superheroin - ose keqbërësin – Marvel do ta mirëpriste atë.
Drejtori i Marvel, Kevin Feige, aktualisht është në turne mediatik për “Spider-Man: Far from Home” dhe presidenti i studios u pyet për mundësinë që Reeves, i cili është duke përjetuar sukses falë John Wick: Chapter 3 dhe roleve mahnitëse në Always Be My Meybe dhe Toy Story 4, t’i bashkohet MCU-së.
"Ne flasim me të për pothuajse çdo film që e bëjmë," tha Feige për comicbook.com. "Nuk e di kur, nëse, ose ndonjëherë do të bashkohet me MCU, por me të vërtetë do të dëshironim shumë që ta gjejmë mënyrën e duhur për ta realizuar këtë."
Marvel e ka një histori për dhënien e roleve të pazakonta yjeve të njohura, shkruan KOHA Ditore.
Ylli indie Jake Gyllenhaal e luan keqbërësin Mysterio në vazhdimin Spidey, ndërsa Angelina Jolie është angazhuar për ta udhëhequr adaptimin e ardhshëm të Marvel në “The Eternals” - një film ky në të cilin krejt rastësisht është përfolur se do të luajë edhe Reeves.
Ylli i zhanrit aksion, tani 54 vjeç, u shfaq si personazhi John Constantine në versionin e vitit 2005 të filmit të DC Comics, por megjithëse edhe në të kaluarën ka pasur thashetheme se ai do të kalonte në botën e gjerë të Marvel, asgjë nuk është realizuar deri më tani.