Ajo ka marrë shumë lëvdata për portretizimin e së dashurës së Freddie Mercuryt, Mary Austin, në filmin biografik të grupit “Queen”, “Bohemian Rhapsody”. Tani Lucy Boynton po i shfrytëzon aftësitë e saj në një mister të ngatërruar të vrasjes.
Aktorja 27-vjeçare është parë javën e kaluar në fshatin piktoresk të Sheres në Surrey duke xhiruar skena për seritë e reja, bazuar në romanin e Agatha Christie, “Why Didn’t They Ask Evans?”.
Hugh Laurie është skenarist dhe producent i serive të shkurtra që shënojnë rikthimin e regjisorit veteran televiziv, nëntë vjet pas episodit të fundit të dramës së mirënjohur amerikane “House”. Drama e tij e re pritet të transmetohet vitin e ardhshëm.
Laurie e ka vështruar Boyntonin, që luan rolin e Frances ‘Frankie’ Derwent, teksa ka kalëruar me shumë profesionalizëm nëpër High Street.
“Një grup i madh e ka kthyer kokën për të shikuar, kur panë se fshati ishte pushtuar nga ekipi i filmit”, ka thënë një banor. “Fatmirësisht moti ishte i mirë, kështu që patën mundësi të xhirojnë. Hugh dukej i kënaqur me punën e bërë dhe Lucy dukej shumë rehat në kalë”.
Seritë tregojnë historinë e Bobby Jonesit, i portretizuar nga ylli i “The Revenant”, Will Poulter, dhe Frankiet, që zbulon një kufomë, gjersa po luante golf dhe e marrin përsipër ta zbulojnë vrasësin. Laurie, 62-vjeçar, gjithashtu e luan rolin e dr. James Nicholson, drejtor klinik në sanatorium.
Kur projekti ishte publikuar në prill, Laurie kishte thënë: “Ende nuk më është larguar entuziazmi qysh prej herës së parë kur e kam kapur bukurinë e misterit thelbësor.
“Qysh prej atëherë kam rënë thellë në dashuri me personazhet dhe ndihem i nderuar që e kam mundësinë për ta ritreguar ngjarjen”.
Boynton është në lidhje me Rami Malek, që ka luajtur rolin e Mercuryt në “Bohemian Rhapsody” që nga viti 2018.
Shere është vendi i duhur për një vepër të Agatha Christiet, pasi është vetëm 3 kilometra larg prej Newlands Corner, ku shkrimtarja e kishte organizuar zhdukjen e saj më 1926.